Gëzohuni kafe dashës! Të konsumuarit 6 filxhanë kafe çdo ditë, ul rrezikun e prekjes nga skleroza e shumëfishtë me 30 përqind.

Të dhënat vijnë nga një studim i ri të publikuar në “Journal of Neurology, Neurosurgery & Psychiatry” dhe të realizuar nga shkencëtarë nga tre Universitete të ndryshme; Institutit Karolinska të Stockholm, John Hopkins në Maryland dhe Universitetin e Kalifornisë.

Studiuesit u bënë bashkë për të ekzaminuar mënyrën sesi kafja ndikon tek njerëzit me sklerozë të shumëfishtë, një gjendje autoimune që prek qelizat nervore.

Kjo lloj sëmundjeje është e pa parashikueshme dhe shpesh nxjerr jashtë funksioni sistemin qendror nervor. Skleroza e shumëfishtë ndërpret përcjelljen e informacionit në tru dhe gradualisht mund të bëjë që një pacient ta ketë të vështirë të lëvizë, të flasë, apo edhe të shohë.

Shkencëtarët studiuan dy grupe pacientësh, të gjithë në moshë të madhe, në Suedi dhe SHBA.

Në Suedi ata krahasuan 1620 persona me sklerozë të shumëfishtë me 2788 subjekte të shëndetshme. Ndërsa kolegët e tyre amerikanë, studiuan 1159 persona me këtë sëmundje dhe 1172 pjesëmarrës të shëndetshëm.

Në të dy eksperimentet, të dy grupet, si ata të shëndetshëm, si të prekurit nga sëmundja, u pyetën për maksimumin e kafeve që konsumonin në ditë.

Më pas, shkencëtarët përllogaritën sasinë e kafes së konsumuar para dhe gjatë shfaqjes së sklerozës së shumëfishtë tek ata që ishin prekur nga kjo sëmundje dhe i krahasuan rezultatet me grupin e personave të shëndetshëm.

Në të dyja studimet, rezultatet treguan se rreziku për t’u prekur nga skleroza e shumëfishtë, ishte shumë herë më i lartë tek ata persona që pinin më pak kafe çdo ditë, edhe pas studimit të faktorëve të tjerë që mund të influenconin në rezultat, si duhanpirja gjatë adoleshencës.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se, konsumimi i kafes lidhet me uljen e rrezikut me 26 deri në 30 përqind të prekjes nga skleroza e shumëfishtë tek ata që pinin më shumë se 6 filxhanë në ditë.

Studime të mëparshme kanë konkluduar se kafeina mbron neuronet, mban nën kontroll reagimet inflamatore në trup dhe stimulon sistemin qendror nervor .

Kafja përmban më shumë se 1000 përbërës biologjikë, përfshirë kafeinën.

Më herët, konsumimi i kafes është lidhur me uljen e rrezikut të prekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, goditjes në tru dhe diabetit tip 2. /tvklan.al