Albana Prenga nga Rrësheni ankohet në emisionin “STOP” se prej gati 7 muajsh ka aplikuar për kartë identiteti, por nuk ende është pajisur me dokumentin e domosdoshëm.

Punonjësja e Gjendjes Civile, Adelina Nikolla shpjegon se Albana nuk ka një mjet tjetër, që të vërtetojë identitetin e saj. Në zyrat e kompanisë “Aleat”, të drejtojnë në Ministrinë e Brendshme, pasi ky është një rast komisioni.

Specialistja e Ministrisë, Brisela Mehmetllari i jep zgjidhje problemit, falë emisionit “STOP”. Bllokimi ishte automatik, pasi Albana ka një motër binjake.

“Jam Albana Prenga nga Mirdita dhe iu drejtova emisionit “STOP” sepse nuk gjeta rrugëzgjidhje. Kam aplikuar për kartën e identitetit dhe kam shkuar çdo muaj në Tiranë. Nuk më japin ndihmën ekonomike pa kartën e identitetit. Burrin e kam pa punë, vetë pa punë dhe na sorollasin kaq shumë sa se ke idenë.”

Gazetarja – Kur ke aplikuar?

“Kam aplikuar që më datë 18 Tetor 2016. Më thonë që duhet të shkoj te Gjendja Civile, te Policia dhe nuk gjeta rrugëzgjidhje. Më kërkojnë një formular me fotografi, emër, mbiemër, për të deklaruar që është ky person. Sikur është pasaportë për të ikur jashtë shtetit, jo për kartë identiteti. Të më kapi ndonjë sëmundje ngelem në mes të katër rrugëve, nuk të gjen dot njeri pa kartën e identitetit. Edhe ndihmën ekonomike nuk ma japin.”

Gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua Gjendjes Civile së Rrëshenit për të marrë një përgjigje, se përse Albana Prenga nuk po pajiset me kartë identiteti dhe ku qëndron problemi. Për këtë, ajo komunikoi me punonjësen Adelina Nikolla. 

“Jemi njohur me çështjen e Albana Prengës, kemi kontaktuar me sektorin e dokumenteve të identitetit në Ministrinë e Brendshme dhe na kanë kërkuar informacione të mëtejshme për Albanën. Duke qenë se Albana nuk ka asnjë lloj dokumenti identiteti, ne nuk dimë si të veprojmë për ta pajisur me këtë dokument. Çështja tjetër është që bashkangjitur me fotokopjen e mandatit të aplikimit, ne duhet të kemi edhe një dokument nga Komisariati i Policisë, për të vërtetuar identitetin e saj, ose një akt noterial që thuhet unë jam ky person. Albana nuk ka paraqitur asnjë nga këto dokumente dhe si rrjedhojë ne nuk nisim dot një kërkesë.”

Gazetarja e emisionit “STOP” shkoi në Komisariatin e Policisë, nga ku morri një përgjigje pozitive dhe mori vërtetimin e Albana Prengës. Më pas iu drejtua ALEAT, për të marrë një formular për vetëdeklarim, ku punonjësja u shpreh se këto shkresa që ka kërkuar Gjendja Civile duhet të kalojnë në Ministrinë e Brendshme në Tiranë.

Ndërsa specialistja e Gjendjes Civile në Tiranë, Brisela Mehmetllari shprehet se Albana Prenga ka një motër binjake dhe për shkak të ngjashmërisë së tyre, sistemi e bllokon dhe nuk mund të pajisen me mjet identifikimi.

“Kemi diskutuar me specialistët përkatës së Policisë Shkencore, kanë bërë verifikimet dhe ka dalë që janë motra binjake. Çështja u zgjidh dhe sot i përcillet kompanisë ALEAT. Besoj se brenda javës që vjen, qytetarja do të mund të pajiset me dokument biometrik.”

Falë insistimit të emisionit “STOP”, Albana Prenga do të mund të pajiset me kartën e identitetit dhe të përfitojë ndihmën ekonomike./tvklan.al