Është e vështirë të mbash ritmin e të rejave dinamike që vijnë nga Koreja e Veriut kohët e fundit.

Tensionet janë përshkallëzuar për muaj me radhë në mesin e testeve të raketave të Koresë së Veriut, duke përfshirë testin e një bombe hidrogjeni që ishte shumë më e fuqishme se arma e hedhur në Hiroshima dhe një luftë fjalësh mes presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe Kim Jong Un, udhëheqësit të Koresë së Veriut.

Frika më e madhe tani është se Peniani mund të zhvillojë një raketë bërthamore që mund të arrijë Shtetet e Bashkuara.

Kohët e fundit CNN ka pyetur se çfarë njerëzit duan të dinë për Korenë e Veriut duke marrë qindra pyetje në Facebook. CNN ka zgjedhur shtatë pyetje të cilat përfaqësojnë shumicën e të të interesuarve dhe atyre iu përgjigjet një ekspert i çështjeve të jashtme, Fareed Zakaria.

Pyetje: “A mendoni se Koreja e Veriut do të sulmojë me të vërtetë?”

Fareed Zakaria: “Kjo është pyetja më e madhe, cili është qëllimi këtu? Unë mendoj se Koreja e Veriut po përpiqet të vendosë se ajo është një fuqi serioze bërthamore. Nuk janë thjesht disa bomba të depozituara aty, por bëhet fjalë për bomba reale me raketa të vërteta dhe me sisteme shpërndarëse me aftësinë për të sulmuar. Të cilat kanë për qëllim të përçojnë vetëm një mesazh: “Kujdes nga ajo që mund të bëjmë ne!” Unë mendoj se kjo është në fund të fundit në masë mbrojtëse që jep mesazhin që askush s’duhet të provojë të ndryshojë regjimin. Shtetet e bashkuara shpesh kanë lënë të kuptohet që duan ta rrëzojnë këtë regjim. Për një kohë të gjatë, Presidenti Xhorxh W. Bush e bëri Korenë e Veriut një nga boshtet e së keqes, kështu që ata tashmë një ndiejnë një frikë të vërtetë dhe të prekshme të izolimit. Por lind pyetja, Kim Jong Un është më agresiv dhe po vepron në mënyrë më provokative se paraardhësit e tij, babai dhe gjyshi i tij, veçanërisht me kinezët dhe kjo është ajo çfarë i bën njerëzit paksa konfuzë. Pse është aq provokues me të vetmin aleat traktati që ata kanë?

Pyetje: “Nëse regjimi i Koresë së Veriut do të bjerë, a do të dëshironin koreanët e jugut t’i bashkohen Gadishullit Korean? Apo më mirë do të lejojnë koreanët e veriut të rezistojnë për të drejtat e tyre?

FZ: Kjo është një pyetje e mirë. Për një kohë të gjatë koreanojugorët besonin se donin një bashkim të mundshëm të Koresë, ashtu si edhe ata të veriut.  Ky është qëndrimi i konsoliduar zyrtar  që të dyja palët kanë pasur gjithmonë. Mendoj se Koreja e Jugut është gjithnjë e më e kujdesshme ndaj kësaj perspektive, sepse nëse krahasoni Korenë e Veriut dhe Korenë e Jugut me Gjermaninë Lindore dhe Gjermaninë Perëndimore, Koreja e Veriut është shumë më e varfër dhe shumë më e madhe në krahasim me Gjermaninë Lindore. Iu desh Gjermanisë Perëndimore, si një nga shtetet më të pasura në botë, dy dekada që të integronte Gjermaninë Lindore. Ajo i kushtoi atyre 5% të GDP çdo vit për dy dekada dhe ende nuk është integruar siç duhet. Integrimi i Koresë së Veriut do të ishte një kosto të stërmadhe për koreanojugorët, kështu që ata duhet ta mendojnë mirë këtë gjë.

Pyetje: “Cilat zgjidhje na kanë mbetur për çështjen e Koresë së Veriut? Armë më të mira mbrojtëse, presion në rritje nga Kina, bisedimet me Korenë e Veriut, apo si gjithnjë tregtia?”

FZ: Kjo është një pyetje vërtet e vështirë. Nuk ka një përgjigje të thjeshtë, por mendoj se të gjitha gjërat që keni përshkruar janë pikërisht elementet për të cilat duhet të punojmë. Ekziston vetëm një qeveri që ka ndikim serioz me Korenë e Veriut dhe kjo është Kina. Koreanët e Veriut e kuptojnë këtë dhe si rezultat kjo i bën ata më të izoluar dhe që të kenë më shumë imunitet ndaj presionit të Kinës, gjithsesi negociatat mund të jenë të dobishme deri në një farë pike. Kam prirjen të mendoj se arma kryesore në këtë mes është Kina, pa kinezët nuk mund të bëhet asgjë. Një gjë është e sigurt, nëse kinezët kundërshtojnë atë që Shtetet e Bashkuara vendosin për politikën e saj, nuk ka asnjë mundësi serioze dhe asnjë shpresë serioze për ndonjë rezolutë.

Pyetje: Cilat janë disa nga pasojat më të rrezikshme nëse arrihet të destabilizohet regjimi?

FZ: Pyetje shumë e mirë. Rreziku më specifik që unë mendoj se ne përballemi është nëse regjimi ndihet i kërcënuar. Nëse Shtetet e Bashkuara do të sulmonin, ajo do të përgjigjet pothuajse me siguri, por ndoshta nuk do të përdorë armët e saj bërthamore. Koreja e Veriut ka mijëra, mijëra raketa që synojnë Seulin, ku jetojnë 15 milionë apo më shumë njerëz. Kjo është brenda një game të lehtë të artilerisë dhe raketave të Koresë së Veriut dhe ata, në njëfarë kuptimi, do të lëshonin stuhi zjarresh në Seul. Natyrisht që Koreja e Jugut do të detyrohej të sulmonte dhe do të kishit një nga betejat më të rënda që kemi parë në historinë njerëzore.Nëse flasim për pasojat e një situatë të tillë, të paktën më shumë se një milionë njerëz do të humbnin jetën ose do të plagoseshin nga betejat. Pra do të kishim një rezultat shumë të frikshëm, por gjithsesi situata do të përshkallëzohej duke qenë se edhe Koreja e Jugut ka armët e saj nukleare nëse SHBA-ja i jep aprovimin për t’i përdorur. Pra jo vetëm që do të shihnim një betejë të frikshme, që nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore, por gjithashtu një situatë që përkeqësohet me ritme të frikshme. Kështu që në të gjitha rastet, planet e veprimeve janë vërtet të pafavorshme.

Pyetje: A mendoni se Kim Jong Un e beson propagandën e tij?

FZ: Me një fjalë, jo. Unë mendoj se ai është një djalë i cili shkonte në shkollë në Zvicër në një institucion të sofistikuar, kështu që unë mendoj se ai e di për botën. Mendoj se ky është thjesht një sistem i pamëshirshëm, brutal, i korruptuar që thjesht po përpiqet të qëndrojë në pushtet. Nuk ka asnjë në Korenë e Veriut që beson në çfarëdo qoftë ajo që është ideologjia e tyre dhe ata as që e dinë se çfarë është ideologjia e tyre. Është një përzierje e çuditshme e komunizmit dhe një lloji kulti të familjes së Kim.

Pyetje: “Mesa kam arritur të kuptoj unë njerëzit që punojnë shumë, po vdesin urie. Sa gjatë mund të vazhdojë kjo situatë. A janë të arsimuar dhe të informuar mjaftueshëm se çfarë po ndodh në botë dhe cili është realiteti ku ata po përshtaten?

FZ: Kjo pyetje është e rëndësishme sepse është një nga faktet më misterioze rreth Koresë së Veriut. Ata janë pothuajse një nga vendet më të varfëria në botë, pranë një prej vendeve më të pasura në botë: Koreja e Jugut, e cila ka pasur një nga rritjet më të shpejta ekonomike nga në 30 vitet e fundit, dhe unë nuk mendoj se klasa e mesme e Koresë së Veriut di shumë për botën e jashtme. Ata nuk dinë shumë se çfarë është jeta dhe informacioni është shumë i kontrolluar. Unë nuk e di nëse historitë janë të vërteta por nëse shkoje në shtëpinë e një koreani të veriut dhe radioja ishte e ndezur, ti bëje një krim nëse e fikje atë. Ishte sistemi transmetues i përdorur nga regjimi, dhe gjithë ditën fliste për propagandën e regjimit.

Pyetje: “Cili është probabiliteti që Koreja e Veriut të shesë armët bërthamore ose teknologjitë te të tjerët? A është kjo një kërcënim që ata mund ta përdorin si një çip  për përgjime?”

FZ: Kjo është një pyetje e shkëlqyer, sepse ata e kanë provuar këtë gjë dhe më parë. Ne e dimë se Koreja e Veriut sigurisht është angazhuar në blerjen e teknologjisë bërthamore dhe duket se ka ardhur nga Pakistani dhe ndoshta disa vende të tjera. A do ta shisnin atë? Po, sigurisht që është e mundur. Rreziku është që qeniet njerëzore janë qenie njerëzore. Nuk e di nëse qeveria pakistaneze kishte për qëllim të shiste sekretet e saj, por ne e dimë se kishte disa shkencëtarë pakistanezë që mund ta bënin këtë për përfitimet e tyre individuale. Pra, sistemet mund të rrjedhin dhe unë nuk do të doja ta nënvlerësoja faktin që ekziton një rrezik. Por deri më tani nuk kam parë shumë dëshmi se qeveria e Koresë së Veriut po shkon duke ofruar teknologjinë e vet bërthamore ose armatimin e saj bërthamor në ndonjë mënyrë përmes tregut të zi.

Burimi: CNN

Shqipëroi: tvklan.al