I maskuar dhe me armë, një i ri tentoi këtë të martë që të grabiste një bankë të nivelit të dytë në qytetin e Lushnjes.

Olcion Muço u fut rreth orës 16:00 në një bankë në afërsi të Poliklinikës së qytetit dhe hapi zjarr. 8 gëzhoja gjeti policia në vendngjarje, ndërsa fatmirësisht nuk pati njerëz të lënduar.

Efektivët e Lushnjes u vunë menjëherë në ndjekje të 25-vjeçarit nga Berati dhe falë veprimeve të shpejta u bë e mundur kapja e tij, teksa tentoi të largohej në brendësi të lagjeve, rreth 1 kilometër nga vendi i ngjarjes.

Autoritetet sekuestruan armën me të cilën u tentua të vidhet banka, maska dhe 1 kapuç që mbante 25-vjeçari. Gjithashtu në vendngjarje u sekuestruan 8 gëzhoja pistolete TT,  të cilat dyshohen se janë qitur nga pistoleta e autorit.

Aktualisht grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

/tvklan.al