Opozita e Kosovës nisi në orën 14:00 protestën e paralajmëruar kundër qeverisë, për marrëveshjen e firmosur në Bruksel me Serbinë për Asosiacionin e komunave serbe, si dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Mijëra qytetarë me flamujt Kuq e Zi në duar janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë. Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, i pyetur pse në protestë nuk ka flamuj të Shtetit të Kosovës, tha se populli vendos se me çfarë flamujsh do të dalë në protestë.

Ai tha se ky është fillimi i fundit i qeverisë Thaçi-Mustafa dhe se “

sot ka filluar pranvera kosovare”.

Në protestë ishin të pranishëm figurat kryesore  të partive opozitare të Kosovës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kreu i Nisma-s, Fatmir Limaj.

Gjatë fjalës së tij, kreu i Vetëvendosjes, Ymeri kërkoi dorëheqjen e qeverisë duke i dhënë afat deri më datë 27 Shkurt. Sipas tij, nëse nuk shpallen zgjedhje të parakohëshme brenda kësaj periudhe, protestat nuk do të ndalen.

Ashtu siç ishin shprehur opozitarët kosovarë, protesta e ditës së sotme u mbyll paqësisht.

Pas përfundimit të protestës, kryeministri Isa Mustafa dhe zv/kryeministri Thaci thanë se nuk do të merren me afatet e opozitës, duke e ftuar atë të kthehet në Kuvend.

Policia e Kosovës tha se ishte angazhuar maksimalisht nën masa të rrepta për mbarëvajtjen e protestës, për të mos u përsëritur akte dhune. Pas përfundimit të saj shumë qytetarë nisën pastrimin e sheshit, mes të cilëve ishte edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Tv Klan