Janë 90 milion euro që kompania e shpërndarjes së energjisë dhe KESH kanë shpenzuar deri tani për të blerë energji elektrike.

Vlerën e ka bërë të ditur Ministri i Infrastukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, i cili tha se pavarësisht situatës së vështirë, qeverisë nuk iu desh të prekte investimet si në buxhet, ashtu edhe te dy kompanitë e tjera KESH dhe OSHEE.

“U provua me këtë stres-test që kaloi sistemi që arriti të përballojë importe deri në 90 milionë euro pa shkundur financat e shtetit.”

Gjiknuri tha se energjia elektrike është e siguruar dhe se askush nuk do të ketë probleme me furnizimin.

“Të importojë edhe në kushte më të vështira me çmime më të larta, për shkak të thatësirës dhe mungesës së prodhimit në të gjithë Ballkanin, por njëkohësisht edhe të ruajë parametrat financiarë të qëndrueshëm duke mos vënë në pikëpyetje as investimet bazë.”

Shqipëria do të importojë energji elektrike deri në fund të vitit. Kompania e shpërndarjes ka shpallur zyrtarisht tenderin për të blerë 280 mijë megavat orë energji, e cila nëse do të gjendet me çmimin mesatar të sotëm do t’i kushtojë OSHEE-së 17 milion euro. Nga ana tjetër edhe Korporata eleketroenergjitke do të importojë energji për muajin tetor ku llogaritet të shpenzohet një fond prej 8 milion eurosh. /Tv Klan