Piktori i artit bashkëkohor shqiptar, Bashkim Ahmeti, vjen për publikun shqiptar me një ekspozitë vetjake me 90 krijime artistike të ekspozura në Galerinë Kombëtare të  Arteve.

Tematika e tablove kompozicionale të ndërthurura me ngjyrat e forta dhe ato të ftohta, apo edhe me kontrastet gjejnë frymëzim nga Onufri, Nikolla e Shpataraku. Koleksioni i veprave të ekspozitës vetjake janë realizuar me një kolorit shpërthyes dekorativ, por që brenda tyre kanë një muzikalitet shqiptar.

Ndryshe ndodh me ciklin e tablove kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare, ku artisti abstragon dukshëm në imazhin e tij.

Ngjarjet e qytetit të tij të lindjes, të përjetuara dhe shkruara nga pena e  shkrimtarit Kadare, tashmë janë të hedhura në vaj edhe në tablotë e piktorit Bashkim Ahmeti.

Në peisazhet plot fantazi të piktorit, në tablotë e  tij gjenden edhe kujtime mitike dhe legjendare të popullit shqiptar.

Ekspozita vetjake e Bashkim Ahmetit do të jetë e hapur në Galerinë e Arteve për afro një muaj.

Tv Klan