Situata e vështirë ekonomike e familjeve të tyre ka bërë që në sytë e fëmijëve Shqipëria të mos shihet si vendi i duhur për të jetuar. Sipas një raporti të organizatës “Save the Children” pjesa më e madhe e fëmijëve mendojnë për një jetë më të mirë jashtë vendit. 

 

“Kjo gjetje, që 94% e fëmijëve shqiptarë e projektojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit është një gjetje që duhet të na bëjë të gjithëve që të mendohemi jashtëzakonisht shumë, pasi realisht tregojmë se vendi që kemi nuk është që ai fëmijët tanë duan”.

Shqetësimet e fëmijëve shqiptarë i përcolli 14-vjeçarja nga Burreli, Xhorda Dervishi. Ajo përcolli të dhëna dhe shifra të tjera mjaft tronditëse të raportit të “Save the Children” për situatën e fëmijëve shqiptarë.

Xhorda Dervishi: 

“58% e fëmijëve kanë parë fëmijë që të dhunohen fizikisht, ndërsa 34% e tyre kanë qenë viktima të bulizmit; 75% e fëmijëve ndjehen të stresuar nga rezultatet në shkollë; 90% e fëmijëve e konsiderojnë shumë të domosdoshëm praninë e psikologut ose punonjësit social në shkollë; 39% e fëmijëve nuk dinë ose janë të pasigurt se ku mund të drejtohen kur ndjehen të dhunuar ose të keqtrajtuar, ndërsa 10% e fëmijëve nuk ndjehen të sigurt në shkollë. Pothuajse gjysma e fëmijëve, 49.9% ndjehen të trishtuar për një kohë të gjatë dhe vetëm 45% janë optimistë për gjetjen e një pune pas përfundimit të shkollës”.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, u ka bërë apel fëmijëve që t’i drejtohen institucionit që ajo drejton, për shkeljet me të cilat ata përballen.

Burimi: Klan Plus