Asnjë aplikim nga kompanitë energjitike për çmimet e reja

KESH me humbje, kostot do të reflektohen në çmimin që i shet OSHEE


Kompanitë e sektorit energjitik nuk kanë dorëzuar ende aplikimin për çmimet e reja të energjisë për vitin 2018-të. Burime zyrtare pranë Entit Rregullator të Energjisë thonë për televizionin Klan se është rënë dakord që KESH të mos jetë më pjesë e tregut të rregulluar, siç ka qenë deri më sot, por çmimi që korporata do ia shesë energjinë OSHEE-së për klientët familjarë dhe bizneset të vendoset në bazë të kostos së prodhimit që ka, siç e sanksionon edhe ligji i ri për këtë sektor.

Rënia e prodhimit të energjisë elektrike ka bërë që KESH për vitin 2017-të dalë me humbje. Për periudhën janar – shtator korporata rezulton me 42 milion dollarë minus, ndërsa deri në fund të vitit fitimi negativ do të arrijë 88 milion dollarë. Të gjitha këto kosto do te llogariten te çmimi i energjise që do t’i tregtojë OSHEE-së për vitin e ardhshëm. Sot tarifa  është 1.45 lekë për kilovat orë, ndërsa për 2018-en burimet thonë që kjo vlerë do të jetë më e larte.

Korporata pati kosto të mëdha përgjatë këtij viti, si kredia e Bankës Botërore që përdori për të mbuluar një pjesë të importeve të energjisë elektrike dhe po ashtu edhe detyrimi për të paguar një sasi energjie që u përcaktua me vendim të Entit Rregullator, por që rënia e nivelit të ujit në kaskadë bëri që të mos prodhonte të gjithë sasinë. Tashmë diferenca që nuk është plotësuar, duhet të paguhet nga KESH. Për nëntorin niveli i Fierzës ka arritur në 269 metra, ndërsa deri në fund të vitit, mendohet se mund të rritet vetëm me 1 metër.

Kompanitë OST dhe OSHEE presin miratimin e çmimit të ri të KESH në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës, për të dhënë më pas ofertat për çmimin e ri. /Tv Klan

Kategori
EkonomiTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*