2017-a, për Bibliotekën Kombëtare, do të jetë viti i kujtesës, arsye kjo që në mbrëmjen e së hënës, mirëpriti në një bisedë, ku të ftuarit foljet i vendosnin në kohën e shkuar dhe ku komunizëm, identifikohej me fjalët, në atë kohë.

Diskutantët nuk janë të rastësishëm. Një pjesë e tyre janë personazhet e gjallë të librit për të cilin janë mbledhur, “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” me autor Stefan Çapalikun.

Në roman rrëfimtari rritet brenda në libër jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht e shpirtërisht. Është derdhur një botë kujtimesh, që përbëjnë formimin e autorit dhe përjetimet e tij ndaj ngjarjeve që zhvilloheshin fillimisht brenda kufijve të shtëpisë, lagjes e më pas në arterien kryesore të Shkodrës, Kafen e Madhe, ku nuk mungon trilli letrar, siç është ta pasurit një televizor, që simbolizon dritaren e vetme nga ku njerëzit thithnin aromën e lirisë.

Në “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, nuk ekziston heroi. Secili nga personazhet është i tillë, edhe pse jetonin pa u vënë re sepse ajo ishte sfida e njeriut nën komunizëm./Tv Klan