Politikanët unionistë duan të heqin të drejtën që në Gjermani të ketë persona me dy pasaporta. Po si e shikojnë këtë çështje të tjerët dhe çfarë parashikohet me ligj?

Të rinj gjermano-turq festojnë Erdoganin dhe planet e tij për ndryshimet kushtetuese. Njerëz të cilët janë konsideruar si tërësisht të integruar në Gjermani tregojnë hapur simpatitë e tyre ndaj Erdoganit për gjërat të cilat shumë politikanë gjermanë i konsiderojnë si jodemokratike. Rreth 1/5 e gjermanëve me origjinë turke ka nënshtetetësi gjermane dhe turke dhe ka të drejtë votimi në referendumin e ardhshëm për ndryshime kushtetuese. Kjo ka shkaktuar reagime tek politikanët e CDU/CSU.

“Niveli i integrimit duket se është më i dobët se sa ka menduar shumëkush “, thotë kryetari i Komisionit të Jashtëm i Bundestagut, Norbert Röttgen (CDU), për gazetën “Der Spiegel”. Ai angazhohet për heqjen e dy nënshtetësive, që është qëndrim edhe i shumë politikanëve të CSU. Sekretari i Përgjithshëm Andreas Scheuer tha se ai që u betohet vlerave dhe parimeve të shtetit gjerman, nuk ka nevojë të ketë një nënshtetësi tjetër. Fëmijët e prindërve me origjinë të huaj duhet të vendosin në të ardhmen me 21 vjeç se cilën nënshtetësi e duan. Kështu është thënë në konkludimet e Kongresit të CSU në dhjetor të vitit 2016.

Rregullat

Ky vendim është në kundërshtim me vendimin e vitit 2014. Sipas rregullave të tanishme, fëmijët nga prindër me origjinë të huaj, që kanë lindur në Gjermani apo të cilët jetojnë këtu të paktën tetë vjet, kanë të drejtë të marrin nënshtetësinë e prindërve të tyre dhe nënshtetësinë gjermane. Do të thotë, ata kanë të drejtë të kenë dy pasaporta. Ai i cili deri në moshën 21 vjeç ka jetuar të paktën tetë vjet në Gjermani apo ka shkuar të paktën gjashtë vjet në shkollë, mund t’i mbajë të dy pasaportat. Vlerësohet se aktualisht në Gjermani ka rreth 4,3 milionë persona me dy pasaporta. Numri më i madh i tyre janë me origjinë nga Turqia, por ka edhe nga Polonia, Rusia dhe vende të tjera.

Ideja ishte që personat me dy nënshtetësi të intgrohen më shpejt në shoqëri dhe të jenë pjesë e vendimeve politike, shoqërore dhe demokratike. Qëllimi është respektimi dhe vlerësimi i origjinës, por edhe njohja dhe marrja e obligimit për vlerat e vendit ku tani jetojnë.

Argumentet e tejkaluara?

Vitet e fundit ka pak studime që janë marrë me rezultatet e integrimit të personave me dy nënshtetësi. Ndaj nuk dihet nëse politikanët e Unionit kanë të drejtë, kur thonë se qëllimi nuk është realizuar. Profesori Thomas Faist është një prej shkencëtarëve që është marrë me këtë temë. “Dynënshtetësia ndikon shumë pozitivisht në integrim”, thotë ai. Këtë e dëshmojnë studimet empirike. “Pezullimi i këtij ligji paraqet një akt simbolik se ai nuk ka pasur sukses”. Faist thotë se ky vendim nuk ka efekte pozitive vetëm për Gjermaninë, sepse gati gjysma e vendeve në botë mundëson që një person të ketë dy pasaporta. Personat e përfshirë me këto rregulla janë zakonisht personat e shkolluar, me punë të mirë dhe grupet e privilegjuara në shoqëri. Në diskutimet e tanishme duhet të mirret parasysh se çfarë mbështetje vërtet ka Erdogani tek personat me origjinë turke. Besnikëria ndaj një vendi ka një domethënie shumë më të thellë se vetëm posedimi i pasaportës.

Ndryshimet 

Kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se gjatë kësaj legjislature nuk do të ketë ndryshime të ligjit. Ministri i Brendshëm Thomas de Maizière shpjegon se ata nuk duan të marrin vendime të përshpejtuara. Ndërsa përfaqësuesit e SPD pohojnë se ky rregull është një prej bazave të koalicionit qeveritar. E ngarkuara me Çështjet e Integrimit Aydan Özoguz (SPD) thotë se kjo temë nuk meriton tepër të diskutohet në këtë moment. Propozimet e Unionit i kanë kundërshtuar edhe Ekologjistët dhe e Majta. Ndërsa në sondazhet e agjensisë “Forsa”, vetëm 38% e të anketuarve mendojnë se të ardhurit në Gjermani duhet të vendosin vetëm për një pasaportë./DW