Lulzim Basha përjashtoi çdo mundësi për mospjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhje. Në një takim me krerët dhe sekretarët e degëve, Basha tha se opozita do të jetë në 18 Qershor për të garantuar votën e qytetarëve, duke përjashtuar mundësinë e një skenari të mundshëm për bojkotin e zgjedhjeve.

“Qeveria dhe mjetet e saj të propagandës janë lëshuar me klishetë, merr pjesë a nuk merr pjesë PD në zgjedhje. PD merr pjesë në zgjedhje dhe ato do të jenë të lira e të ndershme. Nuk ka asnjë skenar tjetër. Ne do të luftojmë, përballemi me zgjedhje të lira e të ndershme, e do të fitojmë në zgjedhje të lira e të ndershme. Asnjë minutë kohë nuk duhet të harxhojmë. Nxjerrja e Shqipërisë nga kriza Rama kërkon më të mirët dhe më të mirët duhet të kemi.”

Por zgjedhjet e lira e të ndershme për kreun e demokratëve kushtëzohen nga votimi dhe numërimi elektronik. Mungesën e kohës, Basha e sheh si justifikim nga ana e maxhorancës, ndërsa u shpreh i hapur për çdo propozim që garanton standardet në zgjedhje.

“Votimi dhe numërimi elektronik është fundi i kontestimit të zgjedhjeve. Thonë se nuk ka kohë. E gjejmë kohën e bëjmë kohën. Ajo për të cilën s’ka më kohë është një tjetër palë zgjedhje të vjedhura dhe krimi dikton dhe qeveritarët e korruptuar blejnë e shesin votën. Koha për këtë po ka mbaruar. Koha për zgjedhje të lira nuk mbaron kurrë. Jemi të hapur nëse kanë zgjedhje më të mira”.

Kur kanë mbetur më pak se pesë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, Basha kërkoi që brenda 15 Shkurtit, drejtuesit demokratë në bazë të nisin një dialog të hapur për përzgjedhjen e kandidatëve që do të jenë pjesë e ekipit të ardhshëm në parlament, ndërsa tha se çdo kandidat për deputet do t’i nënshtrohet një kontrolli të imtësishëm të integritetit të figurës.

Tv Klan