Menjëherë pasi Donald Trump u betua si President i 45-të i SHBA-ve janë pushuar nga detyra 80 ambasadorë amerikanë të emëruar politikisht. Por, a është Donald Lu, ambasadori amerikan në Shqipëri në mesin e tyre?

Sipas “American Foreign Service Association”, Donald Lu nuk është shkarkuar nga detyra pasi ai nuk është emëruar politikisht.

Kjo shoqatë thotë se ambasadori amerikan në Shqipëri i konfirmuar më 20 Nëntor 2014 është diplomat karriere.

Trump u kishte kërkuar ambasadorëve në çdo vend të botës, të cilët ishin emëruar nga ish-Presidneti Barak Obama, të linin postet e tyre deri më 20 Janar në drekë.

Skuadra e tij e tranzicionit tha  më 23 Dhjetor se nuk do të kishte asnjë përjashtim për ambasadorët që do të kërkonin zgjatje të mandatit përtej ditës së inaugurimit.

Kështu, “The Independent” njoftoi se janë pushuar rreth 80 ambasadorë në shtete dhe për çështje të ndryshme – të tillë si ambasadori për çështjet globale të grave.

Kjo lëvizje rrezikon të lërë shumë vende, përfshirë edhe disa që kanë marrëdhënie delikate me SHBA-të, pa përfaqësues të konfirmuar nga Senati amerikan për muaj të tërë.

“The Independent”  thotë se kështu kanë mbetur pa ambasadorë Gjermania, Britania e Madhe dhe Kanadaja sikundër edhe aleatë të tjerë vendimtarë. Po ashtu pa përfaqësues të konfirmuar mbeten edhe shtete të tilla si Kina, India, Japonia dhe Arabia Saudite.

Ndërkohë, shumë pak emërime janë bërë deri më tani. Kështu, Guvernatorja e Karolinës së Jugut Nikki Hayley është emëruar ambasadore në Kombet e Bashkuara duke zëvendësuar Samantha Power./ tvklan.al