Pas balotazhit të 19 Nëntorit, Lidhja Demokratike e Kosovës konsiderohet si triumfuese në zgjedhjet lokale të këtij viti në Kosovë. Kandidatët e saj fituan në 8 komuna, mes të cilave në Fushë-Kosovë, Gjilan, Pejë e Istog.

E dyta renditet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Kryeministrit Haradinaj, që rezulton fituese në 7 komuna, 4 më shumë se mandatin e kaluar. Tkurret në vetëm 5 komuna Partia Demokratike e Kosovës.

Ndërsa në tre tjera kryesojnë kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kandidati i saj, Shpend Ahmeti kryeson në Prishtinë, edhe pse me një rezultat tepër të ngushtë me 0.8% diferencë ndaj rivalit të LDK-së Arban Abrashi.

Vendimtare për rezultatin e Prishtinës do të jenë votat me postë, që mund edhe ta përmbysin rezultatin. Në të njëjtën situatë edhe Prizreni, ku kandidati i Vetëvendosjes, Myhater Haskuka është në krye me 0.6% më shumë se Shaqir Totaj i PDK-së. Edhe këtu pritet numërimi i 1637 votave me postë, proces që pritet të kryet gjatë javës.

AKR dhe nisma kanë fituar nga një komunë. Në dy të tjera triumfuan kandidatët e pavarur. Ndërsa Lista Srpska, e mbështetur nga Beogradi është fituese e të gjitha komunave me shumicë serbe.

Pjesëmarrja në raundin e dytë të zgjedhjet e së dielës ishte e ulët në 38.1%. Një proces relativisht i qetë me përjashtim të rasteve të votimeve familjare apo presioneve mbi votuesit.

Tv Klan