Salah Abdeslam nuk u vetëhodh në erë më 13 nëntor të vitit të kaluar në Paris, për të shpëtuar jetë njerëzish. Në një intervistë për rrjetin televiziv francez BFMTV, Mohamed Abdeslam, vëllai i të mbijetuarit të masakrës së Parisit, rrëfen detaje të reja pasi vizitoi Salah Abdeslamin në burgun e Brukselit.

Nëse do të doja mund ta shpërtheja jelekun eksploziv, fatmirësisht nuk e bëra pasi do të kishte pasur edhe shumë viktima të tjera, mësohet të ketë thënë Salah Abdeslam.

Vëllai i 26-vjeçarit thotë se ai dëshiron të ekstradohet në Francë dhe të bashkëpunojë me drejtësinë franceze, pasi ndihet në borxh me ta, por nga ana tjetër nuk ka ndonjë borxh karshi autoriteteve belge, duke nënkuptuar së është i pafajshëm dhe i papërfshirë në masakrën e Brukselit që la 32 të vdekur dhe mbi 270 të plagosur.

Pavarësisht këtyre deklaratave, autoritetet belge shprehen se Abdeslam kishte lidhje me të paktën 2 nga kamikazët e 22 marsit në Bruksel.

Shenja e gishtërinjve të tij u gjetën në një apartament të marrë me qira nga Kalid El Bakraui, kamikazi i metrosë së Malbekut, ndërsa kishte njohje të afërt edhe me kamikazin tjetër Nazhim Lashraui.

Pas provave të dala në dritë ditët e fundit, policia belge dyshon se sulmi terrorist në Bruksel u krye nga e njejta celulë xhihadiste që kreu atë në Paris.

Tv Klan