Papa Françesku miratoi një ligj të ri, i cili parashikon shkarkimin e peshkopëve dhe zyrtarëve të lartë fetarë, të cilët nuk marrin masa dhe neglizhojnë rastet e abuzimeve seksuale ndaj të fëmijëve nga ana e priftërinjve.

Peshkopët do të jenë po aq përgjegjës sa edhe përdhunuesit nëse qëndrojnë indiferentë ndaj këtyre akteve mizore, tha Papa Françesku.

Në letrën apostolike, Ati i Shenjtë nënvizon dhe vendos në mënyrë të qartë se duhet hedhur më shumë dritë, në krahasim me të shkuarën, mbi rastet e pedofilisë nga ana e priftërinjve.

Forcimi i masave të reja ligjore nga ana e Papës vijnë në një kohë kur janë shtuar abuzimet seksuale nga përfaqësuesit e besimit të krishterë.

Për më shumë se 15 vjet, Kisha Katolike është përfshirë në skandale seksuale me të miturit ku protagonistë janë priftërinjtë. Në shumicën e rasteve priftërinjtë pedofilë nuk janë dorëzuar tek autoritetet, por thjesht janë transferuar në një tjetër kishë.

Tv Klan