Këto janë pamje të orëve të fundit në Rrugën e Kombit. Dhjetëra makina kanë mbetur të bllokuara si pasojë e dëborës. Autoritetit vazhdojnë t’u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të përdorin zinxhirët. Në afërsi të tunelit të Kalimashit, trashësia e borës ka arritur në 70 centimetra.

Situata më e vështirë raportohet në qarkun e Kukësit, ku acari ka lënë pa energji qytetin dhe rrethinat e tij gjatë gjithë orëve të natës, deri në mesditë. Temperaturat 10 gradë nën zero kanë vështirësuar punën edhe për grupet e Operatorit të Transmetimit dhe atij të Shpërndarjes.

Një punonjës ka përfunduar në spital me hipotermi. 

Në Malësinë e Madhe dëbora ka arritur deri në 1.2 metra. 9 rrugë në këtë zonë janë tërësisht të bllokuara, ndërsa në akset e tjera nuk mund të kalohet pa zinxhirë.

Stuhia e dëborës gjatë natës ka bllokuar disa zona edhe në Dibër. Shumë segmente rrugore nuk janë të kalueshme, ndërsa në rrugët nacionale në këtë qark qarkullohet me zinxhirë. Kjo ishte situata në orët e vona të mbrëmjes se djeshme në Qafën e Buallit.

Dëbora ka pushtuar edhe Elbasanin. Disa fshatra të këtij qarku dhe rruga Lunik – Stëblevë janë tërësisht të bllokuara.

Në Korçë trashësia e dëborës arrin në 30 cm. Në Qafë Thanë dhe Qafë Pllocë kalimi i makinave bëhet me vështirësi me zinxhirë.

Në qarkun e Vlorës qarkullimi për automjetet ka rifilluar vetëm në mëngjes në Qafë Muzinë, Qafë Gjashtë dhe Llogara, të cilat u bllokuan në mbrëmje si pasojë e ngricave.

Dëbora ka mbuluar pjesën më të madhe të vendit. Për herë të parë, pas 7 vitesh ajo zbardhi edhe Durrësin.

Reshje dëbore pati edhe në Lushnje. Në Tiranë ato ishin të pakta, ndërsa mali i Dajtit është zbardhur tërësisht. Energjia elektrike vijon të jetë problem për shumë rajone në Shqipëri. Zonat më të prekura janë Tirana, Burreli, Shkodra dhe Durrësi.

Tv Klan