Pavarësisht se disa prej të arrestuarve kanë pranuar të bashkëpunojnë me prokurorinë për dy grabitjet në rrugën e Rinasit, vetëm Admir Çerpjas i është ofruar statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë.

35 – vjeçari ka dhënë dëshmi të cilat kanë provuar implikimin e dy të arrestuarve Ernest dhe Dash Kupa si pjesë e grupit që goditën blindat me para.

Ndërsa Fation Xhyliu, i arrestuari i parë për grabitjet, pavarësisht se ka folur, në disa raste është kontradiktor dhe për këtë arsye nuk i është ofruar statusi. 33 – vjeçari nga Lushnja nxorri emrat e dy ish – komandove Ditjon Memlika dhe Neim Avdulaj.

Puna e hetuesve është fokusuar tashmë tek zbardhja e të gjithë pjestarëve të tjerë të grupi, nga të cilët në kërkim është Admir Murataj dhe Klement Çala.

I arrestuari i fundit për grabitjet, Dash Kupa, pritet të dalë të enjten para gjykatës për t’u njohur më masën e sigurisë. Mësohet se prokuroria do të kërkojë arrest me burg për të.

41 – vjeçari është marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, por nuk ka pranuar akuzën e ngritur. Por policia dhe prokuroria thonë se përfshirja e tij në dy grabitjet është e provuar.

Dëshmia e Çerpjas i ka çuar hetuesit drejt provave të tjera që e implikojnë atë si pamjë filmike dhe komunikime telefonike mes anëtarëve të grupit. Hetimet për bandën e grabitësve po zhvillohen edhe në Greqi, ku disa anëtarë të saj akuzohen për vepra të ngjashme penale.

Tv Klan