I dënuari me burgim të përjetshëm, Admir Tafili, i akuzuar si kreu i një grupi kriminal që kryente vrasje me pagesë nga qelia, ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Ai ka mohuar akuzat e ngritura dhe dëshminë e të penduarit të kësaj bande Kristi Pine. Tafili ka deklaruar para togave të zeza se e ka njohur Pinen në burgun e Bradasheshit. Kur ai la qelinë, Tafilaj i kishte kërkuar që t’i sillte disa celularë në burg. Ato me pas shiteshin tek të burgosurit e tjerë për 400 euro dhe Kristi Pine përfitonte 100 euro.

Tafili ka dhënë versionin e tij edhe mbi një prej vrasjeve për të cilat akuzohet ky grup. Ai tha se gjatë kohës së burgut, Pine i kishte folur për hasmerinë që familja e tij kishte me Brahim Manen, i cili i kishte vrarë dajën.

Mane u vra në Shkodër në vitin 2013 dhe sipas Tafilit, bëhet fjalë për një vrasje për çështje hasmërie.

Admir Tafili tha në dëshminë e tij se Pine i kishte sjellë drogë në burg dhe se ai e kishte punësuar për t’i ruajtur familjen, gruan së bashku me tre fëmijët.

Tv Klan