Blerta Pepa, 16 – vjeçarja nga Tirana e cila ëndërronte për një karrierë të bukur në muzikë, ndërroi jetë mbrëmjen e të hënës në një spital privat në Tiranë, ku ajo ishte shtruar për një ndërhyrje kirurgjikale në meniskun e gjurit, pasi u dëmtua në orën e Fiskulturës.

Babai i saj rrëfen kur kuptoi se diçka nuk po shkonte mirë, vetëm pak minuta pasi kirurgu gjerman iu kishte pohuar se operacioni doli me sukses.

Babai pohon se u kishte dhënë mjekëve analizat ku tregohej se vajza ishte alergjike ndaj barnave, por kishte marrë garanci nga mjekët.

Të afërmit e saj dyshojnë tek një mungesë e respektimit të protokollit nga mjekët dhe një pakujdesi të tyre.

Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje. Trupi i adoleshentes reagoi keq në momentin që duhet të dilte narkoza. Pas kësaj situate, mjeku anestezist tentoi vetëvrasjen, duke injektuar mbidozë narkoze në trupin e tij.

Vetë spitali reagoi me një deklaratë, ku thotë se bazuar në vlerësimin e ekspertëve të anestezi – reanimacionit dhe të bashkëpunëtorëve të tyre u arrit në përfundimin se, 16 – vjeçarja humbi jetën nga hipertermia malinje, komplikacion që, sipas mjekëve, vjen si pasojë e një defekti genetik dhe që është e pamundur të zbulohet me anë të ekzaminimeve standarde apo të posaçme, të kryera para operacionit.

Policia ka nisur hetimet dhe është në pritje të ekspertizës Mjeko-Ligjore për t’u njohur me shkaqet e vdekjes së 16 – vjeçares.

Tv Klan