Ministria e mbrojtjes e Afganistanit thotë se 26 ushtarë janë vrarë dhe 13 të tjerë janë plagosur, nga sulmi i talebanëve kundër një baze ushtarake në provincën jugore të Kandaharit.

Zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes, Dawlat Waziri, tha se janë vrarë ose plagosur edhe 80 talebanë, gjatë këtij sulmi në bazën ushtarake në rajonin Khakrez, sot herët në mëngjes.

Burime qeveritare, që kanë folur në kushte anonimiteti, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, programi për Afganistanin, se së paku 30 vetë janë vrarë gjatë luftimeve të ashpra.

Nëpërmjet një kumtese, talibanët e kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm, duke thënë se i kanë vrarë 74 ushtarë dhe i kanë zënë 6 të tjerë.

Ministria e mbrojtjes e Afganistanit tha se në vendin e sulmit janë dërguar përforcime.

Ky sulm u bë në periudhën e intensifikimit të dhunës në Afganistan, ku sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë këtij viti janë vrarë më se 1,700 ushtarë./REL