Agjencia franceze e lajmeve AFP, në një artikull të saj për rastin e Saimir Tahirit, shkruan sot se kjo çështje dëmton Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

“Aktakuza ndaj ish-ministrit të Brendshëm në trafikun ndërkombëtar të kanabisit minon pozicionin e Shqipërisë për afrimin e saj me Bashkimin Europian. Zyrtarisht kandidat prej vitit 2014, Tirana zyrtare synon të bindë BE-në që të hapë negociatat me BE-në në fillim të vitit të ardhshëm.

Gjithashtu skandali i Tahirit përkeqëson situatën. Saimir Tahiri 38 vjeç, ministër i Brendshëm deri në pranverën e 2017, është i afërt me Kryeministrin socialist Edi Rama. Në një vend kur debati politik rrallëherë është i dhunshëm, ambasadori i SHBA Donald Lu pothuajse u ka dhënë të drejtë të dy kapmeve: ‘Shqipëria ka probleme me lidhjet midis trafikantëve dhe politikanëve. Ky nuk është problem i një partie të vetme’. Kjo deklaratë është në kontrast me heshtjen e kujdesshme të kancelarive europiane, të cilat i kanë dhënë mbështetje Edi Ramës që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2013”,

shkruan AFP.

Agjencia franceze e lajmeve sjell në vëmendje edhe letrën e Kryeministrit Rama që u dërgoi liderëve të BE-së pak ditë më parë, të cilëve u shpjegonte se Shqipëria nuk është më kryeqyteti evropian i kanabisit sikurse shkruajnë mediat. AFP citon edhe kreun e opozitës Lulzim Basha, i cili akuzon qeverinë se është e lidhur me trafikantët e drogës.

Shfaqja në publik e skandalit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka lëkundur shumë pozitat e qeverisë.

“Gjashtë muaj pas triumfit në zgjedhjet legjislative, pushteti i Edi Ramës është dobësuar. Rasti shpërtheu në mesin e muajit Tetor pas arrestimit në Itali të një trafikanti shqiptar. Mediat më pas zbuluan përgjimet kompromentuese për Saimir Tahirin”,

citon AFP.

AFP risjell në kujtesë deklaratat e Saimir Tahirit, i cili pranoi si gabim të vetëm faktin që u ka shitur makinën vëllezërve Habilaj, pa verifikuar më parë veprimtarinë e tyre. Sipas agjencisë franceze, prej disa vitesh Shqipëria ka qenë furnizuesi më i madh i kanabisit për vendet e BE-së.

“Shqipëria prej vitesh ka qenë eksportuesi më i madh i kanabisit në BE, përfshirë edhe Italinë, sipas raporteve të njëpasnjëshme të Europolit. Kjo tregti informale përbën 1/3 e prodhimit të brendshëm të Shqipërisë ose më shumë, sipas burimeve diplomatike perëndimore. Në raportin e fundit, Brukseli beson se autoritetet shqiptare dështuan në identifikimin e grupeve kriminale. Kultivuesit e vegjël kapen rregullisht, por asnjëherë kokat e mëdha. 20 policë, 3 prej të cilëve janë në kërkim sipas urdhër-arresteve të lëshuar më 22 Nëntor, akuzohen për korrupsion në lidhje me këtë trafik. Asnjë zyrtar i lartë nuk ishte përfshirë, deri në momentin kur u shfaq Saimir Tahiri. Tani qeveria sapo ka paraqitur një plan kundër krimit të organizuar dhe në veçanti kundër lidhjeve midis krimit dhe zyrtarëve të lartë të vendit”

, përfundon artikullin agjencia franceze AFP.

Burimi: AFP

Përshtati: tvklan.al