Agjencia e Zbulimit konfirmon kërcënimet ndaj udhëheqësve politikë

Autoritetet mbikëqyrëse të Agjencisë së Zbulimit të Kosovës, thanë se udhëheqësit më të lartë të vendit kanë qenë të kërcënuar nga individë dhe organizatat të dyshuara për veprimtari kriminale.

Këto komente u bënë pas takimit të Komisionit parlamentar për siguri dhe mbikëqyrje të kësaj agjencie, ku shefi i kësaj të fundit Driton Gashi, ka raportuar rreth shtimit të masave të sigurisë gjatë fundjavës pas informatave se grupe të caktuara kanë planifikuar sulme ndaj disa udhëheqësve institucional dhe politikë të vendit në periudhën e kremtimeve për festën e pashkëve.

Kryetari i komisionit parlamentar për siguri dhe mbikëqyrje të AKI-së, Haxhi Shala tha se sipas informacioneve, kërcënimet ishin serioze.

“Institucionet e sigurisë të gjitha kërcënimet i marrin serioze dhe duhet të jenë të gatshme që t’u përgjigjen. Fatmirësisht nuk ka ndodhur dhe mirë që nuk ka ndodhur. Të gjitha ato organizata janë tashmë nën hetime nga Prokuroria. Nuk kemi hyrë në hollësi, për të mos i dëmtuar hetimet”, tha zoti Shala.

Ai tha se institucionet e sigurisë u janë përgjigjur me kohë kërcënimeve.

“Sipas raportimeve të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ka qenë një situatë serioze, por për fat nuk ka ndodhur asgjë. Këto kanë qenë për shkak të festave të Pashkëve dhe jo për Gjykatën e Posaçme ose elementeve tjera që janë diskutuar gjatë këtyre ditëve”, tha ai.

Zoti Shala tha se informacionet e organeve të sigurisë dëshmojnë se cak i sulmeve ishin menduar të jenë personalitete politike, nisur nga presidenti, kryeministri si dhe disa udhëheqës të opozitës dhe personalitete politike nga koha e komunizmit.

Që nga e premtja, policia e Kosovës kishte shtuar masat e sigurisë duke ndërprereë edhe pushimet e zyrtarëve të saj si dhe kishte shtuar patrullimet përreth kishave dhe manastireve të vendit dhe në rrugën që shpie drejt vendkalimeve kufitare me Maqedoninë./VOA

Kategori
KosovaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*