Gjatë ditëve në vijim, në Nëntor do të vijnë në Tiranë disa agjentë të specializuar të FBI-së amerikane për të ndihmuar Policinë e Shtetit në luftën kundër bandave kriminale në vend.

Ky fakt është bërë me dije para disa ditësh nga Kryeministri Edi Rama dhe nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Ndërsa sot, në një takim me drejtues të policisë, Kryeministri Edi Rama dha detaje të tjera. Ai theksoi se FBI do të asistojë edhe në vetingun e policisë, për të larguar punonjësit e policisë të inkriminuar dhe të korruptuar.

Bëhet fjalë për një marrëveshje të nënshkruar mes FBI-së dhe Policisë së Shtetit. Kryeministri zbuloi se bëhet fjalë për një agjent prestigjioz të Byrosë Amerikane të Investigimit që do të asistojë. Po kështu, do të jetë edhe një kompani amerikane e drejtuar nga ish-agjentë të FBI-së, e cila do të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit.

Gjithashtu FBI do të sjellë pajisjet e saj të specializuara që do të përdoren për të luftuar bandat, por edhe për të ndihmuar për vetingun në polici. Një prej tyre është edhe poligrafi, aparatura që tregon të vërtetën.

“Do të vijë një agjent prestigjioz i FBI. Mbërrin dhe një agjent tjetër për të mbështetur policinë kundër krimit të organizuar. Po diskutojmë me një kompani hetimesh që drejtohet nga ish-agjentë të FBI-së dhe do të vijnë këtu. Do sjellin eksperiencë që ne nuk e kemi, fuqi motivuese, por do sjellin dhe instrumentet e tyre operacionale për vetingun në Policinë e Shtetit. Nuk do ketë drejtues policie që nuk do të kalojë testin. Ka dhe një instrument për sinqeritetin, poligrafi. Të gjitha këto do të jenë këtu”

, tha Kryeministri Edi Rama para drejtuesve të policisë. /

tvklan.al