Agon

“Agon Channel” i Francesco Becchetti – t do të vazhdojë të qëndrojë i sekuestruar dhe nën administrimin e shtetit. Italiani i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash, provoi të hiqte masën e sekuestros së vendosur nga kjo shkallë e Gjyqësorit dhe të përforcuar nga Gjykata e Apelit, me anë të nënës së tij, Liliana Kondomitit.

Por Gjykata e rrëzoi kërkesën e saj, të dorëzuar më 14 korrik, për revokim të sekuestros dhe la në fuqi dy vendimet e mëparshme, pavarësisht kundërshtisë së përfaqësueve ligjore te Becchetti – t, Enyal Shuke, Klodian Skënderi dhe Sokol Mëngjesi.

Vendimi u dha nga Gjyqtarja Manola Bejleri, e cila ishte e njëjta që vendosi për sekuestrimin në datën 5 qershor, pasi Becchetti u shpall në kërkim nën akuzën se ka pastruar miliona euro në Shqipëri, se ka mashtuar ortakët në biznes dhe se kishte ngritur një skemë mashtrimi për qëllime përfitimi.

Këto tre akuza u zyrtarizuan nga Prokuroria në fillim të kësaj jave.

Edhe në Apel, me 14 korrik, Becchetti mori të njëjtën përgjigje: Agon Channel do të mbetet nën sekuestro, pasi dyshohet se është pjesë e skemës së pastrimit të parave.

Vendimi i tretë i Gjykatës vjen në një kohë kur Drejtoria e Tatimeve e kryeqytetit i ka kërkuar Qendrës Kombëtare të Regjistrimit ta bllokojë kompaninë AgonSet, që ka në pronësi  “Agon Channel”, q të mos kryejë asnjë veprim në lidhje me shit – blerjen e aksioneve.

Referuar një shkrese e cila mban datën 20 korrik 2015, e lëshuar nga Drejtoria e Tatimeve Tiranë, shoqëria AgonSet, me administrator, bashkëpunëtorin e ngushte të Becchetti-t, Mauro De Renzis ka detyrime të papaguara në vlerën e 47 milionë e 345 mijë lekëve. Këto detyrime rrjedhin si shkak i mospagimit të sigurimeve shoqërore dhe tatimit të të ardhurave personale të punonjësve.

Sipas shkresës së Drejtorisë së Tatimeve, rezulton se punonjësve u janë  mbajtur paratë nga rrogat e tyre, por ato nuk janë hedhur në arkën e shtetit. Numri i punonjësve të mashtruar në këtë mënyrë, nuk dihet ende.

Francesco Becchetti vijon ndërkohe t’i fshihet drejtësisë shqiptare, bashkë me Mauro De Renzis. Të dy janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, por vendndodhja e tyre nuk dihet.

Tv Klan