Kreu i Ministrisë së Financave Arben Ahmetaj u ka bërë thirrje fermerëve të pajisen me NIPT, në mënyrë që të marrin rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Në një takim me fermerët në Dibër, Ahmetaj tha se për shumëkënd kjo mund të duket si një burokraci që i shërben vetëm tatimeve, por në fakt janë para që shkojnë në xhepat e tyre.

Po shkon rimbursimi i fermerëve në 20 milionë dollarë. E dini sa ka qenë përpara disa viteve? 2 milionë dollarë. Nëse ju vini me NIPT-in, qeveria ka mundësi t’ju japë 20% mbrapsht. Ne i rimbursojmë me vendim qeverie 20% eksportuesit brenda 30 ditëve dhe prodhuesit siç jeni ju brenda 60 ditëve.

Ndërsa ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, tha se për vitin 2018-të do të vihet në dispozicion të sektorit rural një buxhet prej 110 milion eurosh.

Viti 2018 do të jetë viti i parë ku ne do të kemi, jam i sigurt, më shumë para se sa sektori dhe sektorët kanë mundësi të thithin.

Qeveria ka përjashtuar sektorin e bujqësisë edhe nga skema e tatimit mbi vlerën e shtuar duke lënë këtë pragun e TVSH-së 5 milion lekë. /Tv Klan