Paraqitja e Arlind Ajetit në Francë ka bërë që ai të lakmohet çdo ditë e më shumë nga ekipet e Serie A. Mbrojtësi i Kombëtares po bind akoma më shumë drejtuesit e klubeve italiane, që e panë edhe në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar me Frosinone.

Torino është shtuar në listën e skuadrave që e duan për sezonin e ardhshëm 22-vjeçarin. “Tuttosport” shkruan se ekipi torinez duhet të mposhtë konkurrencën e Pescara dhe Bologna.

Marrëveshja e tij me Frosinone që është kthyer në Serie B, përfundon më 30 Qershor, pasi rinovimi ishte i vlefshëm vetëm nëse skuadra qëndronte në kategori. Skuadra e re duhet thjeshtë të bie dakord për pagën e mbrojtësit, pasi nuk ka asnjë detyrim ndaj Frosinone.

Arlind Ajeti luajti me Kombëtaren me Francën dhe Rumaninë, duke treguar pjekuri në qendër të mbrojtjes dhe duke marrë vlerësimet e mediave dhe specialistëve.

Në takimin e fundit përballë Rumanisë ai u shpall nga UEFA si njeriu i ndeshjes, duke justifikuar edhe vendimin e De Biazit për ta aktivizuar në vend të Lorik Canës.

Tv Klan