Një i ri humbi tragjikisht jetën pasi ra nga ura. Ai po “fluturonte nga gëzimi”, sepse e dashura i kishte thënë po propozimit të tij për martesë.

32 – vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ishte në makinën e të dashurës kur i kërkoi asaj që të ndalonte në mes të urës Irabu, që lidh ishujt e Miyako dhe Irabu, në Japoni.

Ai i tha asaj se donte të shihte nga afër urën, por më pas u ul në gjunjë dhe nxori unazën.

Sipas asaj që shkruan britanikja “Metro”, i riu u gëzua kaq shumë nga përgjigja e partneres, sa hipi në hekurat rrethues të urës duke hapur krahët në ajër në shenjë festimi.

Fatkeqësisht pak sekonda më vonë, ai humbi ekuilibrin dhe ra nga ura, nga 30 metra lartësi.

Trupi i tij u gjet disa orë më vonë, pa jetë. Sipas policisë, ai kishte qenë duke pirë përpara se të ndodhte tragjedia./tvklan.al