pianojaPas 49 vitesh, Universiteti i Arteve, më në fund, do të ketë një piano të re orkestrale.

Blerësi i saj nuk është as institucioni arsimor dhe as Ministria e Arsimit, por janë 325 vullnetarë që me kontributet e tyre bënë të mundur blerjen e kësaj pianoje orkestrale, tejet të rëndësishme, për përgatitjen e brezave.

Ishte nisma personale e pianistes Merita Rexha Tershana, për t’i dhuruar, Universitetit të Arteve ku ajo jep mësim, një piano profesionale, pas amortizimit të dy ekzistueseve.

Ende e panxjerrë nga kutia pasi duhet të zhvendoset e vjetra, rrugëtimi nga Gjermania deri në Universitetin e Arteve, kaloi me disa peripeci. Edhe pse kodi doganor i Republikës së Shqipërisë e specifikon se materialet arsimore, shkencore dhe kulturore për institucionet publike dhe të kultit përjashtohen nga detyrimet e importit me kusht, në listë nuk ekziston pianoja.

Në shenjë falenderimi për të gjithë ata që kontribuan për mbledhjen e shumës prej 27 mijë eurosh, do të mbahet një koncert në sallën e Universitetit të Arteve.

Tv Klan