Vettingu brenda radhëve të policisë i lajmëruar se do të nisë në Janarin e 2018 e bën Kryeministrit besimplotë se do te jetë një proces që do shënojë fundin e nyjeve që lidhin krimin me uniformat blu.

I ftuar në konferencën “shkenca ligjore dhe sfidat bashkëkohore të sigurisë” organizuar nga Akademia e Policisë, kreu i qeverisë thotë se nisma duhet të alternohet me modernizimin brenda trupave të policisë për të cilat thotë se janë larg mesatares së BE sa i takon inteligjencës dhe cilësisë së tyre.

“Së pari, siguria publike nuk mund të krijohet nga qasje të izoluara. Për këtë qëllim do ta thellojmë procesin e krijimit të kapaciteteve në funksion të sigurisë dhe në përballjen me krimin.

Përvoja e shkëlqyer e disa Task-Forcave janë provë e pakundërshtueshme nevojës për sinergji. Fillimi i operacionit forca e ligjit do të shërbejë edhe për konsolidimin e mëtejshëm për bashkëpunimin ndërinstitucional. 

Së dyti, modernizimi i vazhdueshëm i strukturave ligjzbatuese është prioritet. 

Së treti, pastërtia e radhës së policisë, integriteti i lartë është parakusht i domosdoshëm. Ne kemi bërë sa kemi mundur për shpërblimin moral dhe financiar për punonjësit e Policisë së Shtetit, por procesi historik i pastrimit nga elementë të kriminalizuar, korruptuar apo të paaftë do të vazhdojë. Procesi i vetingut në Policinë e Shtetit që do të fillojë nga muaji Janar, do të japë rezultate të qenësishme. 

Së katërti, vijimi i goditjeve për shkatërrimin e grupeve kriminale. Më e rëndësishme është shënjestrimi i financave dhe aseteve kriminale. Kush përfiton nga krimi nuk i gëzon dot ato që përfiton”, deklaroi Rama.

Një tjetër nismë nga e cila Rama pret të sjellë rezultatet konkrete dhe efikase në luftën kundër krimit është dhe operacioni “forca e ligjit”.

Si kryeministri ashtu dhe ministri i Brendshëm flasin për rritje të investimeve për teknologjinë në fushën e hetimit dhe sigurisë, që do të nisin që me buxhetin e vitit të ardhshëm.

Fatmir Xhafaj:

“Ky është buxheti më i lartë i investimeve në fushën e rendit dhe sigurisë për të paktën 10 vitet e fundit, me një rritje prej rreth 70 % krahasuar me vitin që po mbyllim. Mbi 80 % e kësaj rritje fokusohet te Policia e Shtetit dhe kryesisht do të përdoret për investime te teknologjia në fushën e hetimit dhe pajisjet shkencore, një mungesë e ndjeshme që për vite të tëra ka ndikuar ndjeshëm në zbulueshmërinë e krimit dhe efektivitetin  e procedimit penal të tyre”.

Një tjetër premtim i kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm ishte dhe ai për të rritur mbështetjen financiare për Akademinë e Policisë, e cila rinisi të funksionojë në 2015 pas 7 vjetësh që ishte inekzistente.

Tv Klan