komisioni_ekonomi

Heqja e akcizës së pijeve energjike, një vendim ky i Ministrisë së Financave, është shoqëruar me jo pak debate në komisionet parlamentare ditët e fundit.

Në kohën që qeveria ka vendosur ta heqë, Komisioni i Ekonomisë votoi të kundërtën.

Ministria e Financave ka argumetuar se përjashtimi nga akciza i pijeve energjike është standard evropian.

Janë disa arsyet që japin ekspertë të ekonomisë, se përse akciza duhet hequr.

Së pari, në vitin 2004 me akcizë përfshiheshin të gjitha pijet e gazuara në vlerën dy lekë për litër.

Së dyti, me nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të ‘Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit’ është parashikuar që të gjitha mallrat të cilat importohen me origjinë nga vendet e Unionit Europian, nga data e hyrjes në fuqi tarifat doganore do të ishin zero.

Së treti, në nenin 73 të saj shteti shqiptar duhet të krijonte të njëjtat kushte të mbrojtjes së të drejtave të Pronësisë Intelektuale dhe Tregtare, duke promovuar konkurrencën e ndershme.

Për pasojë, vendosja e akcizës do të favorizonte falsifikuesit e pijeve energjike.

Së katërti, ligji për akcizën, në fakt për një vend si Shqipëria me statusin e vendit kandidat për në Unionin Europian, del në kundërshtim me një marrëveshje të hyrë në fuqi 8 vjet më parë, pikërisht duke diskriminuar subjektet e huaja dhe favorizuar pseudo-prodhues dhe falsifikues të pijeve energjike.

Dhe së pesti, Shqipëria është vend anëtar pranë Organizatës Botërore të Tregtisë prej 30 shtatorit 2000 dhe pas 14 vjetësh del kundër parimeve të përcaktuara në lidhje me trajtimin e barabartë, i cili duhet t’u ofrohet subjekteve të huaja sikundër dhe subjekteve vendase.

Madje disa nga ekspertët thonë se të ardhurat e marra nga akciza e këtyre pijeve, siç rezulton nga janari i këtij viti e deri tani, janë të papërfillshme, ndonëse nga vitit 2004 e deri tani tarifa është rritur nga 2 në 50 lekë për litër.

Janë 23 vende të cilat cilat nuk përfshijnë pijet energjike në akciza duke vepruar sipas standardeve evropiane.

Austria, Gjermania, Danimarka, Italia, Greqia, Spanja, Hollanda, Britania e Madhe, Polonia, Portugalia apo Suedia, janë mes tyre.

Vendet që kanë akcizë për pijet energjike janë vetëm 5, mes tyre tre shtete të Ballkanit, si Mali i Zi, Kosova, e Kroacia, por që i kanë tarifat gati 10 herë më të ulëta se në Shqipëri.

Ministria e Financës e ka marrë vendimin e saj pas një studimi të hollësishëm të të dhënave dhe të përfitimeve që vijnë nga akciza apo dëmeve që u shkaktohet  bizneseve prej saj.

Të dhënat e saj tregojnë se akciza, më shumë sesa fitime, sjell dëmtim të bizneseve , pasi edhe favorizon falsifikuesit e pijeve energjike.

Tv Klan