Aksidenti - rruga kombit

Rreth orës 21:00 të mbrëmjes, në Spitalin e Traumës në kryeqytet mbërritën 2 të lënduarit e fundit të aksidentit me 10 të plagosur, që u shënua pasditen e së hënës në aksin Rrëshen – Rubik.

7 prej tyre, në gjendje më të rëndë, u sollën për një trajtim më të specializuar në Spitalin e Traumës, 4 prej të cilëve me helikopter dhe të tjerët me autoambulancë.

Në aksident u përfshinë dy autovetura, një Volksvagen Passat me targa gjermane, në të cilën udhëtonin 5 shtetas nga Kosova dhe një mjeti tip Ford, ku udhëtonin 5 persona nga Fushë – Kruja.

Mes të lënduarve janë, një fëmijë 11 – vjeç, që ishte pasagjer në mjetin tip Ford dhe  katër të rinj kosovarë të moshës 14, 15, 16 dhe 17 – vjeç. Policia tha se shkak i aksidentit u bë parakalimi i gabuar i autoveturës me targa gjermane.

Përplasja e dy makinave ka qenë tepër e fortë dhe u desh ndëhyrja e forcave zjarrëfikse që të lënduarit të nxirreshin nga automjetet.

Burime nga Spitali i Traumës thanë se në gjendje më të rëndë janë 4 nga të plagosurit, të cilët i janë nënshtruar edhe një ndërhyrje kirurgjikale.

Tv Klan