Një i vdekur e dy të plagosur është bilanci i aksidentit të ndodhur paraditen e kësaj të hëne në aksin rrugor Kavajë-Durrës. Viktima është 21-vjeçari Kristi Risto, ndërsa të plagosur mbetën dy miqtë e tij.

Dinamika e aksidentit ka qenë e frikshme pasi mjeti në të cilin udhëtonte viktima me dy pasagjer, thuajse është shkatërruar plotësisht.

Në drejtimin e makinës tip Skoda që lëvizte nga Kavaja në drejtim të Durrësit ishte 21-vjeçari Risto. Për disa minuta deri në mbërritjen e ambulancës dhe policisë, rruga ka qenë e bllokuar.

Ekspertët rindërtuan edhe nje herë dinamikën e aksidentit. Nga veprimet e para hetimore mjeti që drejtohej nga 21-vjeçari i ka rënë nga pas një kamionçine.

Sipas bluve shkak mund të jetë bërë përgjumja e shoferit ose humbja e kontrollit të mjetit. Përplasja ka qenë fatale për Kristi Riston, i cili në atë kohë ka qenë duke udhëtuar edhe me shpejtësi tej normave të lejuara. I riu ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy pasagjerët ndodhen në kujdesin e mjekëve në spitalin e Durrësit. TV KLAN