Partia Demokratike ka reaguar sërish për aksidentin me pasojë vdekjen e një këmbësori nga Deputeti i PDIU, Aqif Akipi. Duke iu referuar pretendimeve të kushërinjve të viktimës, Seit Sorra, të cilët deklarojnë se Rakipi është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, pa ndaluar, për Partinë Demokratike tregon se kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale.

“Dëshmia e kushërinjve të Seit Sorrës, viktimës së aksidentit, është tronditëse dhe tregon se kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale. Kushërinjtë e viktimës, dëshmitarë okularë, rrëfejnë se deputeti, mik i Ramës, Aqif Rakipi, sapo ka përplasur për vdekje Seitin, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Ata thonë se deputeti Rakipi, iku pa u ndalur fare, sikur donte të fshihte diçka”.

Sipas PD, largimi i tillë nga vendi i ngjarjes është kriminal dhe i thellon përmasat kriminale të ngjarjes.

“Çfarë po fshihte deputeti mik i Ramës? A ishte ai në gjendje të intoksikuar nga alkooli apo substanca të tjera? Çfarë kishte në makinë miku i Ramës, i cili nuk donte që policia ta gjente makinën në vendngjarje e ta kontrollonte. Dhe më e pakta, pse nje i zgjedhur, një deputet, nuk kujdeset për viktimën nuk i ofron ndihmën e parë, por ikën me shpejtësi pa u ndalur menjëherë pasi ka përplasur për vdekje një njeri? “

Më tej, PD thotë se

“nxitimi i policisë dhe organeve ligjzbatuese për të shpallur fajtor viktimën e për të nxjerrë viktimë fajtorin vetëm pse është mik i Edi Ramës, është skandaloz, është revoltues, është poshtërues.

“Partia Demokratike bën thirrje për hetim të plotë të rrethanave dhe përgjegjësi të plotë para ligjit për deputetin. Partia Demokratike paralajmëron këdo person që po favorizon mikun e Ramës në kurriz të viktimës, se çdokush që shkel ligjin do të mbajë përgjegjësi”

, thuhet më tej në deklaratën e shpërndarë nga Selia Blu./tvklan.al