Pas deklaratës së Partisë Demokratike që akuzonte se deputeti Aqif Rakipi ka prishur provat duke u larguar nga vendi i aksidentit, ka reaguar Policia e Shtetit.

Përmes një njoftimi dërguar mediave, Policia e Shtetit deklaron se sapo u mor njoftimi për aksidentin, u sigurua vendi i ngjarjes dhe nisën veprimet proceduariale së bashku me deputetin e PDIU që drejtonte makinën e përfshirë në aksident, pavarësisht lëvizjes së makinës.

“Pavarësisht lëvizjes nga vendi i ngjarjes dhe paraqitjes në Komisariatin e Policisë të drejtuesit të automjetit, theksojmë se janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale, ekzaminimet e ndryshme kriminalistike, testi i  alkoolit dhe sqarimi i rrethanave të ngjarjes. Automjeti i përfshirë në ngjarje ndodhet në ambientet e Komisariatit të Policisë në gjendjen e dorëzimit menjëherë pas ngjarjes, i sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Policia e Shtetit thekson edhe njëherë se është e do të vazhdojë të jetë garante e zbatimit të ligjit pavarësisht nga statuset apo përfaqësimet e subjekteve”

, thuhet një njoftimin e Policisë së Shtetit.

Më herët, PD ngriti dyshime se ngjarja po tentohej të manipulohej dhe bëri thirrje për hetim transparentë. Deputeti i PDIU Aqif Rakipi ishte duke udhëtuar me makinë reth orës 04:51 nga Durrësi në Tiranë dhe në zonën e Vorës përplasi një kalimtar që tentoi të kalonte në anën tjetër të rrugës. Ka qenë vet deputeti që sapo përplasi këmbësorin, shkoi në komisariatin nr.2 me makinën e përplasur dhe deklaroi çfarë kishte ndodhur.

 /tvklan.al