Një grua ende e paidentifikuar mbeti e vdekur rreth orës 15:30 pasdite në bulevardin Zhan d’Ark, pranë gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë. Gruaja po kalonte nga njëra anë e rrugës në anën tjetër kur u përplas nga një autoveturë e markës “Skoda”.

Gruaja mbeti e plagosur rëndë, ndërsa ndërroi jetë Spitalin e Traumës, ku u dërgua për ndihmën e parë mjekësore. Pas njoftimit të marrë në pak minuta në vendin e ngjarjes mbërritën edhe efektivë të policisë rrugore të kryeqytetit. Pas veprimeve të para në vendin e ngjarjes, drejtuesi i mjetit Agron Dedja 21 vjeç, u shoqërua në ambinetet e komisariatit nr.1. Nga kqyrja paraprake, ekspertët konstatuan se aksidenti kishte ndodhur në korsinë e mesit të rrugës.

Sipas hetuesve gruaja ka tentuar rrugën kur është përplasur nga automjeti Skoda. Dyshimet oficerëve të policisë bëjnë fjalë për një ndërprerje të menjëhershme të rrugës nga këmbësorja e paidentifikuar. Pritet që blutë të kontrollojnë edhe për pamjet e kamerave të sigurisë së ndonjë biznesi në zonë, për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes së rëndë. Deri në sqarimin e rrethanave të aksidentit, drejtuesi i mjetit pritet të ndalohet nga oficerët e hetimit të aksidenteve në Policinë e Tiranës.

Tv Klan