Në dy javë, 212 biznese janë mbyllur nga aksioni anti informalitet. Drejtoria e Tatimeve raporton se kontrollet janë bërë nga terreni dhe zyra e tatimeve për 6778 subjekte, ku kanë rezultuar me shkelje 1400, ose 21% e tyre.

Tatimet kanë penalizuar deri në mbyllje 212 ndërmarrje, ku një pjesë e tyre nuk kanë qenë të regjistruara, e disa tjera janë gjetur duke mos lëshuar kuponin tatimor për herë të dytë. 1200 biznese të tjera janë gjobitur.

Deri tani llogaritet një shumë prej 1.7 milion dollarësh që nuk është deklaruar nga subjektet tatimore. Një prej problemeve më të mëdha që raportojnë tatimet është evazioni me fshehjen e xhiros së vërtetë që bën biznesi për të shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin. 

810 ndërmarrje nuk kanë deklaruar qarkullimin e saktë vjetor, ku më shumë se gjysma e këtyre ndërmarrjeve, 430, ndodhen në kryeqytet.

Aksioni ka identifikuar deri tani edhe 323 punonjës të pasiguruar, ndërsa te biznesi i madh kontrollet po përqendrohen te niveli i pagave që deklarohen.

Tv Klan