250 biznese janë mbyllur në tre javët e para të aksionit anti-informalitet. Kontrollet e tatimeve janë perqënduar ditët e fundit te lokalet e natës, ku të gjithë subjektet që janë vizituar kanë rezultuar me shkelje. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se problemet më të mëdha që janë konstatuar lidhen me lëshimin e kuponit tatimor apo mungesën e kasës fiskale, ku për lokalet që janë gjetur këto shkelje për herë të dytë janë mbyllur.

Gjithsej tatimet kanë bërë 5900 kontrolle te bizneset, ku rreth 1000 prej tyre kanë rezultuar se deri tani deklaronin xhiro si biznese të vogla, duke shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin. Vizitat fiskale kanë detyruar ndërmarrjet që të raportojnë gjendjen e saktë të shitjeve.

Në 20 ditë, 1720 biznese janë gjobitur, ndërsa hetimi tatimor ka verifikuar 7 700 tatimpagues. Në sistemin e sigurimeve shoqërore janë përfshirë në skemë edhe 547 punonjës të tjerë, të cilët deri më sot nuk ishin të siguruar.

Tatimet njoftojnë se bashkë me kontrollet grupet e inspektorëve kanë këshilluar bizneset për të rregulluar mënyrën e raportimeve dhe për të përfituar nga ligji për faljen e detyrimeve. Deri tani janë fshirë 5.5 milion euro gjoba dhe detyrime të krijuara në vite./Tv Klan