Aksioni anti-informalitet do të përqendrohet te bizneset e mëdhenj. Ministri i Financave deklaroi se këto biznese deklarojnë paga nën 30 mijë lekë, për 42% e të punësuarve.

“Sa është ironi, aq është edhe tragjike. Imagjinoni kompani të mëdha që deklarojnë ekonomistin me 270 mijë lekë të vjetra në muaj.”

Arben Ahmetaj tha se të gjitha këto dosje që janë konstatuar nga Drejtoria e Tatimeve do të skanohen. Biznesit do t’i jepet mundësia t’i korrigjojë pa penalizim, në të kundërt, do të veprojë ligji.

“Biznesi i madh të korrektojë veten dhe të nxjerrë në dritë në bilancet e tyre të pastra, të drejtën e një të punësuari”.

Edhe ndryshimi i kufirit të TVSH-së,  tha kreu i Financave, nuk bëhet për të rritur kostot e biznesit të vogël, por për të gjurmuar transaksionet e të mëdhenjve.

“Për të skanuar më mirë transakasionin që fillon nga biznesi i madh dhe që e ka zanafillën tek prodhimi, apo tek importimi”.

Deri tani, aksioni anti-informalitet ka zbuluar 1600 biznese që deklaronin më pak xhiro për të shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin.

Tv Klan