Pas akuzave të kreu të PD, i cili tha se policia e Elbasanit ka fshehur një ngjarje, kjo e fundit ka reaguar me anë të një njoftimi për shtyp.

Policia konfirmon arrestimin e Orest Sotës dhe thotë se veprimet janë kryer nën drejtimin e Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Elbasan.

Më tej, autoritetet e Elbasanit thonë se ‘

në procesverbalin e mbajtur në vendngjarje, është  pasqyruar çdo dokument apo provë e bllokuar në cilësinë e provës materiale’.

“Si çdo procedim tjetër, njoftimi është publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit”,

thotë policia, e cila gjithashtu përcjell edhe njoftimin për ngjarjen në fjalë.

“Më datë 02.11.2017 nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan është bërë arrestimi në  flagrancë i shtetasit O.S., 25 vjeç banues  në Tiranë, administrator i një subjekti privat pasi më datë 01.11.2017 në rrugën nacionale në  fshatin Balldren u kap pa leje drejtimi me mjetin “Land Rover” dhe gjatë  kontrollit të mjetit iu gjetën dhe bllokuan një sasi e madhe eurosh, të cilat do t’i përdorte për likujdimin e faturave, por të pashoqëruar me dokumentin e origjinës. Nenet 291, 242 dhe 180 të Kodit Penal”.

Policia e Elbasanit e fton kryetarin e opozitës të mos përdorë burime anonime lajmi duke çuar në keqinformimin e publikut, por ta gjejë të vërtetën tek faqja zyrtare e Policisë së Shtetit.

Në një postim në rrjetet sociale, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se dy ditë më parë në Elbasan është arrestuar një person me 800 mijë euro dhe dy patenta me emrin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pasi nuk iu ndal postbllokut të policisë. Ai akuzoi Drejtorin e Policisë Haki Çako dhe ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj për fshehje të kësaj ngjarje kriminale me urdhër të Edi Ramës

/tvklan.al