Pas akuzave të Partisë Demokratike, sipas të cilës shefat e arrestuar të policisë janë dëshmi për kriminalizimin e shtetit, ka reaguar edhe ministria e Punëve të Brendshme, e cila thotë se çdo polic në hetim apo i arrestuar, është konfirmim i përpjekjes sonë për Policinë e gjeneratës tjetër.

Më herët të shtunën Partia Demokratike tha se ndalimi i dy drejtuesve të lartë të policisë në Vlorë dhe në Tepelenë, si të lidhur me kultivimin e trafikimin e drogës, është dëshmia më e fortë e kriminalizimit të shtetit, e vënies së shefave të policisë së Saimir Tahirit dhe Edi Ramës në krye të biznesit të hashashit.

Gjatë një konference për shtyp, kreu i Departamentit të Sigurisë, Rendit Publik dhe Luftës kundër Korrupsionit pranë partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha se “ndalimi së fundmi i këtyre dy drejtuesve, konfirmon të vërtetat e denoncuara nga Partia Demokratike prej 3 vitesh, për përfshirjen e njerëzve të Tahirit në trafikun e drogës”.

Në reagimin e saj, Ministria e Brendshme thotë se “që nga dita jonë e parë e punës, janë mbi 2.800 punonjës policie në procedim penal dhe disiplinor. Kaq mjafton për të kuptuar çfarë policie trashëguam, por edhe vullnetin tonë për të ndërtuar integritet, duke pastruar nga policia të gjithë ata që shkelin ligjin.”

“Çdo polic në hetim apo i arrestuar, është konfirmim i përpjekjes sonë për Policinë e gjeneratës tjetër, që u shërben qytetarëve dhe zbaton ligjin. Të sulmosh të gjithë Policinë për pastrimin e të korruptuarve nga radhët e saj, është si të sulmosh z. Alibeaj pse ka familjarë të tij, që kanë probleme me ligjin,” thotë deklarata e Ministrisë së Brendshme./tvklan.al