BashaKryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka reaguar personalisht, pas 6 ditësh, ndaj akuzave të Partisë Socialiste për lejen e dhënë prej tij për ndërtimin e 5 kullave 17 katëshe poshtë digës së liqenit artificial.

Basha nuk i përmend kullat dhe lejen, por thotë se “koha e ‘Vajmedetit’ në Tiranë ka perënduar dhe se Bashkia e Tiranës çrrënjosi historinë e dhunës, frikës, gjobave, klientelizmit korruptiv dhe betonizimit progresiv të qytetit”.

Sipas Bashës, qeverisja e tij në bashki “bazohet tek liria, transparenca dhe respektimi i të drejtave të të gjithë kryeqytetasve, tek një qeverisje me koncepte të qarta, me plan rregullues, me raporte europiane të zhvillimit të qëndrueshëm dhe ruajtjes së mjedisit rrethues”.

Basha thotë se Bashkia po e ndërton me vizion kryeqendrën europiane të shqiptarëve, po projekton bulevarde të reja, infrastrukturë metropolitane dhe investime që hapin portat e zhvillimit”.

Ai shprehet se me durim  “do t’i flakë tutje edhe mbetjet e fundit të së vjetrës që po perëndon, pasi Tirana që hodhi diktaturën, do të triumfojë edhe mbi bllokadën e nipave të komunizmit”.

Më herët, bashkia i quajti shpifje deklaratat e Partisë Socialiste se leja e dhënë prej tij për ndërtimin e 5 kullave 17–katëshe poshtë digës së liqenit, është abuzive dhe në shkelje me premtimin e tij se në këtë zonë nuk do të lejonte kurrë të ndërtohej.

 

TV KLAN