Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kërkoi me vullnetin e tij të plotë që të hetohet dhe verifikohet çdo akuzë që ka lidhje me të, ndërsa bisedat e dala nga përgjimet mes trafikantëve të arrestuar në Itali i quajti ‘pallavra kriminelësh’. Habilajt, ish – ministri i konsideroi kushërinj të 10 -të.

Tahiri tha se gabimi i vetëm që kishte bënte ishte fakti që 4 vite më parë u kishte shitur atyre automjetin e tij, pa kryer më parë verifikime.

Deklaratat ai i bëri në një konferencë për shtyp, pas publikimit të përgjimeve ndaj Moisi Habilajt që përmendte se “30 mijë euro duhet t’ia çojë Saimirit”, si dhe akuzave nga opozita për lidhjen me trafikun e drogës.

“Kjo është një ditë jo e lehtë edhe në raport me njerëzit që më njohin, me kolegët në parlament dhe në politikë, me njerëzit që më kanë besuar dhe zgjedhur e që ende besojnë tek unë. Dy kriminelë që janë kushërinj të mi të shkallës së dhjetë janë arrestuar për trafik droge dhe siç u bë publike, pa hezituar të përmendin edhe emrin tim. Sigurisht kriminelë që përdorin emra politikanësh a ministrash, për t’u mburrur me njëri-tjetrin, në dobi të përfitimeve të tyre të paligjshme, ka pa fund, unë nuk jam as i pari as i fundit. Pa dyshim unë nuk do të doja të isha kurrë sot në këtë pozitë, pa dashjen time, por unë menjëherë do të kërkoj nga prokuroria, personalisht dhe me vullnet të plotë, pa përfituar nga asnjë lloj imuniteti parlamentar apo politik, të cilët unë i refuzoj, të hetohet dhe të verifikohet gjithçka në lidhje me mua dhe jo vetëm, në lidhje me punën time dhe jo vetëm, në lidhje me familjen time dhe jo vetëm.”

“Unë ndjej përgjegjësi morale për veprimet e kujtdo, qoftë edhe ca kushërinj të mi të gradës së dhjetë, të cilëve në fakt kam bërë gabimin e madh dhe të vetëm, që gati katër vite më parë, u kam shitur makinën time personale. Unë sigurisht nuk duhej të kisha neglizhuar kurrë dhe të kisha verifikuar kujt po ia shisja makinën, e pavarësisht se në vendin tonë radhë ndodh që të bëhen këto verifikime… unë përsëri mbaj përgjegjësi morale të plotë për këtë veprim. Përtej kësaj, as kam pasur dhe as kam asnjë raport të çfarëdollojshëm dhe aq më pak raport të paligjshëm”,

tha Tahiri, duke shtuar se dënon çdo veprimtari kriminale të kujdoqoftë, qofshin këta edhe kushërinj të tij të gradës së dhjetë.

Sa i përket akuzave të opozitës, Tahiri tha se kjo e fundit po shfrytëzon pallavarat e dy kriminelëve që i shesin mend njëri – tjetrin se kush ka më shumë njohje, influencë apo mbështetje në një veprimtari kriminale, që ish – Ministri tha se e ka luftuar dhe do të vazhdojë ta luftojë.

“Unë e kuptoj shumë mirë sot, ndoshta sot më shumë se kurrë se cilido që më njeh, personalisht ose jo, përfshirë familjen time, miqtë dhe këdo që më ka takuar të paktën edhe 1 herë është i shtangur nga lajmet që bëhen publike, e sidomos nga përfshirja e emrit tim. Ashtu siç kuptoj mediat, gazetarët, portalet, që herë me pyetje, herë me akuza, me dashje apo keqdashje, presin përgjigje prej meje. Ashtu siç kuptoj dhe mbi të gjitha i falenderoj, të gjithë ata që më kanë shkruar apo kontaktuar në çdolloj forme, që kanë punuar dhe punojnë ende me mua, ata që kanë besuar dhe besojnë te çdo gjë që jam unë, në jetën dhe në punën time. Siç kuptoj edhe kundërshtarët e mi, në opozitë dhe jo vetëm, të cilët për herë të parë dhe të fundit sot, as do t’i akuzoj, as do t’i kundërshtoj, pikërisht sepse sot është dita e tyre në fakt, të shfrytëzojnë pallavrat e dy kriminelëve që i shesin mend njëri – tjetrin apo të thjeshtë të tjerëve, se kush ka më shumë njohje, influencë apo mbështetje në një veprimtari kriminale që në çdo ditë të punës time e kam luftuar dhe do të vazhdoj ta bëj, duke kërkuar gjithmonë të vërtetën, pavarësisht çmimit të saj”./tvklan.al