Policia ka mbërritur në rezidencën zyrtare të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu si pjesë e një hetimi mbi akuzat për korrupsion.

Detektivët më parë e kanë marrë në pyetje në lidhje me pretendimet se ai ka marrë dhurata nga figura të Holliwoodit dhe të biznesit.

Sipas “The Independent” një hetim i veçantë po shqyrton bisedimet sekrete të kryeministrit me botuesin e një gazete të madhe izraelite, në të cilën udhëheqësi i izraelit pretendohet se ka kërkuar një reportazh i cili mbron imazhin e tij.

Asnjë akuzë nuk është ngritur kundër udhëheqësit izraelit, i cili në mënyrë të përsëritur ka mohuar çdo vepër korruptive dhe i ka quajtur akuzat kundër tij një gjueti shtrigash të orkestruar nga një media armiqësore.

Skandali ende nuk ka kërcënuar sundimin e tij tetëvjeçar, por ka dëmtuar vlerësimet e tij publike.

Hetuesit arritën në shtëpinë zyrtare të Netanjahu-t në Jerusalem të dielën pasdite dhe u zhdukën pas dyerve të sigurisë.

Mediat izraelite njoftuan këtë javë se policia beson se ata kanë prova të mjaftueshme për të akuzuar kryeministrin për korrupsion duke u bazuar në dhuratat me vlerë qindra mijëra euro nga biznesmenët e pasur.

/tvklan.al