Prokuroria e Krimeve të Rënda po shqyrton mundësinë e ndryshimit të akuzës për ngjarjen e 18 Shtatorit në Elbasan ku një makinë e blinduar goditi automjetin e nëndrejtorit të policisë lokale.

Hetuesit mund të tërheqin akuzën e“ vrasjes për shkak të cilësive të veçanta e mbetur në tentative” dhe të ngrenë akuzën e “kundërshtimit të forcave të policisë” për tre personat e shpallur në kërkim, pas publikimit të pamjeve filmike të ngjarjeje në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Nëse akuza për vrasje e mbetur në tentative do të bjerë, çështja pritet t’i delegohet Prokurorisë së Elbasanit.

Prokuroria i sekuestroi filmimet e ngjarjes menjëherë pas publikimit të tyre në Opinion, per t’i bërë pjesë të fashikullimit hetimor. 

Kamerat e sigurisë së tregut Agro –Ushqimor kanë filmuar të gjithë ngjarjen.

Në orën 20 e 6 minuta të 18 Shtatorit, në hyrje të tregut policia ka ndaluar automjetin tip Range Rover që drejtohej nga Endri Çopja dhe ku pasagjer ishte Ledio Zabeli.

Një qytetar e kishte raportuar këtë makinë në sallën operative, se po përpiqej ta nxirrte nga rruga në autostradën Tiranë Elbasan, pranë tunelit.

Në ndihmë të patrullës ka shkuar dhe një furgon policie, ndërsa në vendngjarje ndodhej edhe makina e nëndrejtorit të policisë Gjergj Oshafi.

Ndërsa makinat nisin të lëvizin shfaqet, Audi i zi i blinduar, që godet me pjesën anësore, automjetin e nëndrejtorit të policisë.

Me pas Audi hyn në territor të tregut Agroushqimor, porta e të cilit hapet në distancë me një pulti komandimi.

Ndërsa efektivet e policisë, se bashku me nëndrejtorin, ngelen me pistoleta në dorë. Asnjeri prej tyre nuk bën as tentativën më të vogël për ta ndaluar Audin. As për ta ndjekur nga pas, ndonëse porta e tregut qëndron e hapur për disa çaste dhe Audi largohet qetësisht para syve të tyre.

Drejtori i Policisë për Rendin dhe Sigurinë, Altin Qato dha ketë sqarim për mos-reagimin.

Aty ruan jetë punonjësi i policisë, sepse nuk e di me çfarë do të përballet dhe si do të jetë reagimi, s’mund të rrezikohej jeta e punonjësit të policisë”

Edhe pse zyrtari i lartë përpiqet të gjeje justifikime për arsyen se përse u la të largohej i qetë një person i rrezikshëm që arrin te godasë një makinë të forcave të rendit, veprimet e bluve të Elbasanit ngrëne dyshime të mëdha, që nga neglizhenca, deri tek paaftësia në kryerjen e detyrës, pa përjashtuar mundësinë e mosveprimit në mënyrë të qëllimshme. Një hetim i brendshëm po kryhet nga vetë strukturat e rendit për të zbuluar shkaqet e kësaj sjellje. Ndërsa policia ka shpallur në kërkim 3 persona, bashkë me të dyshuarin si drejtues të Audit.

Tv  Klan