Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 7 vjet e gjashtë muaj burgim, si dhe 8 mijë euro gjobë pronarin e klinikës “Medicus”, Lutfi Dervishi, nën akuzën e trafikimit të organeve dhe përfshirje në krim të organizuar.

Bashkëpunëtorit të tij, Sokol Hajdini iu dha 1 vit burgim. Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe djali i Lutfi Dervishit, Arbani, i cili është arratisur prej disa vitesh nga Kosova.

Lutfi Dervishi në bashkëpunim me persona të tjerë, nëpërmjet mashtrimit ka operuar në mënyrë të kundërligjshme në veshka, shtatë persona, ndërsa më pas i ka shitur këto organe tek persona të tjerë.

I akuzuari Lutfi Dervishi kishte deklaruar se transplantimi i veshkës është vepër humane dhe jo penale. Sipas tij, në gjithë botën bëhen me mijëra transplantime, por askush nuk ndiqet penalisht.

Në disa raporte ndërkombëtare akuzohen ish-krerët e UÇK-së për trafik të organeve të ushtarëve serbë gjatë luftës në Kosovë, gjë që duhet të verifikohet nga Gjykata Speciale, që ende nuk është ngritur.

Klan Plus