Një kod i lashtë ka detyruar brezat e shqiptarëve të dergjen nëpër burgje. Bëhet fjalë për Kanunin e Lekë Dukagjinit. Sot, edhe pse kanë kaluar shekuj, kjo relike e kohës dhe zakoneve shqiptare “gjen forcë”  ende në shoqërinë tonë. Këtij fenomeni që ka sjellë prej kohësh drama dhe tragjedi në familjet shqiptare, Al-Jazeera i ka kushtuar një artikull të veçantë, ku përfshin dhe disa nga historitë e gjakmarrjeve të ilustruara edhe me foto.

Mosmarrëveshjet qoftë edhe për diçka të parëndësishme mes fiseve, fqinjëve, apo më gjerë, kudo tjetër mund të gjejnë zgjidhje, por në Shqipërinë Veriore dhe të Mesme, ende jo, thuhet në artikull.

Kodi i lashtë i sjelljes, i njohur si Kanuni i Lekë Dukagjinit ende vijon të zbatohet tek një pjesë e madhe e popullsisë, ku gjakmarrja është plaga që dhemb më shumë, duke detyruar familje dhe breza të tërë të qëndrojnë të izoluar.

I përbërë nga 12 libra dhe 1,262 artikuj, Kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili mendohet të ketë një fisnik shqiptar i shekullit të 15-të, u miratua gojarisht prej shekujsh, por në shtyp doli në fillim të shekullit të 20-të.

Diktatori komunist i shqipërisë Enver Hoxha kërkoi që ta përjashtonte këtë kanun, por ai vijoi të zbatohet paralelisht me ligjet e shtetit.

Sipas këtij kanuni  nuk lejohet vrasja e grave apo fëmijëve nën moshën 16 – vjeç.

gjakmarrja 2

Një ndër historitë e pasqyruara në artikull është ajo e 50 vjeçarit Mhill Zefi i cili jeton i izoluar në shtëpinë e tij në kushte skandaloze, në periferi të Shkodrës.

Fotot e dasmës së vajzës së tij dhe imazhet e Jezusit dhe virgjëres Mari janë orenditë që bien në sy në muret e zhveshura të banesës së tij. Izolimi i tij ka ardhur si rezultat i një konflikti të babait të tij Nik Zefi 20 vite më parë.

gjakmarrja 3

Gjon Mhilli gjithashtu po paguan për një krim që nuk e ka kryer. Ai gjithmonë do të kujtojë datën 19 shtator të 1992, ditën kur vëllai i tij qëlloi dhe vrau një fqinj pas mosmarrëveshjeve për tokën. Gjoni vazhdimisht ka qenë i kërcënuar dhe i përndjekur .

Gruaja e tij, Valentina, u martua me të në një kohë kur shumica e grave të tjera shqiptare do të kishte refuzuar.

“Familja ime nuk ishte dakord dhe ushtroi presion mbi mua për të hequr dorë,”

shpjegon ajo.

“Por unë e dua atë dhe nuk vjen keq që jam martuar. Natyrisht fëmijët tanë janë të kufizuar.”

Nga tre fëmijët e tyre, David , 15 vjeç është në gjendje të lexojë dhe të shkruajë. Dymbëdhjetëvjeçari Jozef, nuk ka qenë kurrë në shkollë, por megjithatë ai mund të flasë shumë mirë anglisht. Edhe pse fëmijët përjashtohen nga vrasjet sipas kanunit, shtëpitë e tyre kthehen në burgje për shkak të veprimeve të më të rriturve./tvklan.al