“Do të bëhet një destinacion luksoz”

Mediat arabe i bëjnë jehonë miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë të projektit turistik të Portit të Durrësit.

“Arabian Business”, media më e njohur e botës së biznesit në Lindjen e Mesme i kushton një artikull të veçantë këtij projekti teksa shkruan se “Eagle Hills” merr dritën jeshile për mega-projektin në Shqipëri.

Në një intervistë ekskluzive për këtë media, presidenti i “Eagle Hills” Mohamed Alabbar thotë se projekti në Portin e Durrësit është më i miri ndër shumë të tillë të ndërtuar në botë.

Mohamed Alabbar: Një histori e pabesueshme në sfondin e atij që do të jetë një destinacion krejt i ri luksoz. Kemi realizuar shumë projekte ndër vite rreth botës, por nuk kam dyshim se pikërisht ky do jetë absolutisht më i miri ndër ta.

Media arabe shkruan se marrëveshja prej 2.5 miliardë dollarësh, e mbështetur nga Grupi i Kompanive të tij Eagle Hills, do të shohë një transformim të plotë të një pjese të vijës bregdetare shqiptare në qytetin e Durrësit.

Më tej në artikull theksohet se e gjitha po projektohet si “një nga qytetet e reja më të qëndrueshme, duke përfshirë praktika miqësore me mjedisin, hapësira të gjelbra dhe teknologji inteligjente për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe emetimet e CO2”.

Mohamed Alabbar: Është një ndryshim i lojës, diçka për të cilën ne kemi punuar shumë për një kohë të gjatë. Unë me të vërtetë nuk mendoj se do të gjeni diku tjetër diçka të tillë.

Media arabe shkruan se ky zhvillim do të akomodojë jahte dhe super jahte deri në 120 m, së bashku me hotele, rezidenca private, shëtitore, dyqane, restorante dhe argëtim. Ai do të përfshijë gjithashtu terminalin e parë të Shqipërisë për linjat ndërkombëtare të lundrimit.

Tv Klan