Rënia e vazhdueshme e sistemit të alarmit të këtij filiali banke në rrugën “Komuna e Parisit”, ka vënë në panik personelin e sigurisë së bankës, por edhe Policinë e Shtetit. Kjo situatë nisi prej orës 3:30 të mëngjesit të të shtunës dhe zgjati deri rreth orës 9:00,  të mëngjesit. Nga frika e përsëritjes së grabitjeve, për shkak të problemeve të sigurisë dhe alarmeve në banka, shërbimet e policisë së Tiranës dhe personeli i sigurisë, kontrolluan gjatë gjithë natës dhe me imtësi çdo element të sistemit. 

Që në alarmin e parë drejt filiatit të bankës u nis një patrullë për të verifikuar situatën. Por alarmi ra sërish dhe punonjësit e sigurisë u detyruan të njoftonin drejtuesit të cilët hynë brenda. Edhe në këtë rast, nuk u konstatua asgjë e dyshimtë, çka bëri që të hidhen dyshime se sistemi i alarmit kishte probleme.

Nga ana tjetër Policia e Tiranës, është detyruar të monitorojë, situatën me efektivë policie pranë degës së bankës. Ata kanë mbajtur kontakt me efektivët e policisë private që ruan bankën. Një situatë e ngjashme ndodhi me 9 gusht të vitit të kaluar, në zemër të ish- bllokut, kur një tjetër bankë e nivelit të dytë u bastis, pasi u hap një vrimë në murin anësor. Disa muaj më vonë, policia arrestoi tre të dyshuar, dy prej të cilëve janë duke u gjykuar.

E njëjta situatë ndodhi me 10 janar të këtij viti, kur ky bankomat në rrugën e Dibrës, u bastisën. Në të dy rastet sistemi i alarmit njoftoi kompaninë e sigurisë, por ai u neglizhua duke bërë që për punonjësit e sigurisë të nisë procedimi për shpërdorim detyre.

Tv Klan