Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i bëri një ftesë publike koalicionit LDK-AKR-Alternativa për bashkim të mandateve dhe u shpreh i gatshëm për formimin e qeverisë së re të Kosovës, nën drejtimin e Vetëvendosjes.

“Ftojmë të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK-AKR-Alternativa, si edhe të gjithë ata deputetë të Koalicionit PDK-AAK-Nisma që janë kundër regjimit të vjetër, pra kundër vazhdimit të qeverisjes së PDK-së që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar mbi situatën e re politike në vend, si edhe për programin politik të një qeverie të re të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.”

I pyetur nga gazetarët për mundësinë e një bllokimi nga presidenti Thaçi, Kurti tha se kjo është e pamundur.

“Nuk mund ta ndalë asnjë person i veçantë, kushdo qoftë ai dhe çfarëdo qoftë emri i tij vullnetin e popullit.”

Ne nuk mendojmë së PDK-ja duhet të bëjë sërish qeverinë, pavarësisht kush është i nominuari për kryeministër, tha Albin Kurti duke iu referuar Ramush Haradinajt.

Zyrtarizimi i rezultatit është pezull kur kanë mbetur edhe 3 kuti pa numëruar, por hapja e tyre nuk pritet të sjellë një ndryshim të madh.

Koalicioni PDK-AAK-Nisma pritet të marrë 39 mandate. Vetëvendosja pritet të konfirmojë 31 mandate ndërsa LDK-AKR-Alternativa, të renditur të tretët do të zënë 30 vende në Kuvendin e Kosovës. Këto dy grupime do të arrinin numrin e nevojshëm prej 61 mandatesh në parlamentin me 120 vende duke e formuar së bashku qeverinë madje pa ndihmën e pakicave.

/Tv Klan